
Thaçi: Fjalori shumë i keq i VMRO-së tregon se pozita e shqiptarëve nuk është përmirësuar si duhet
Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka thënë se fjalori i VMRO-DPMNE-së – aktualisht në opozitë, gjatë fushatës tregon që pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është përmirësuar sa duhet.
Ai ka thënë se me këto zgjedhje edhe çështja e shqiptarëve hyn në fazën finale.
“Mendoj se edhe çështja jonë e shqiptarëve hyn në fazën finale. I kemi pasur nja 30 vjet që herë pas herë kemi menduar se jemi afruar drejt zgjidhjes finale, por këto që po ndodhin në zgjedhjet e fundit, ky fjalor shumë i keq i VMRO-DPMNE-së, ky hyxhym shumë i madh i maqedonasve tregon se pozitat e shqiptarëve vetëm në simbolikë janë përmirësuar, nuk janë përmirësuar si duhet”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se për këtë arsye “duhet që të ketë një angazhim shumë të madh në rundin e zgjedhjeve që Fronti Evropian të votohet me shumicë absolute” sepse, siç ka thënë ai, “do të kemi negociata jashtëzakonisht të vështira me ta”.