Thaçi: FSK-ja është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë

14 dhjetor 2019 | 10:04

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se më 14 dhjetor të vitit të kaluar përmbyllën një proces të filluar në vitin 2014, me të cilin  vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, është shprehur Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 21-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 41…