Thaçi: Kosova do të mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare

07 shkurt 22:35

Në Uashington ndodhet këto ditë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, një traditë shumëvjeçare në Shtetet e Bashkuara, ku marrin pjesë udhëheqës dhe personalitete nga shumë vende të botës.

Presidenti Thaçi ka folur për zhvillimet politike në vend në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi vizita juaj përkon pikërisht një ditë pasi që Komisioni Evropian publikoi strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, rruga e së cilës nuk është shumë e qartë në atë strategji. Ju si e lexoni këtë?

Presidenti Thaçi: Kosova ka pritur më shumë qartësi nga ky raport, ka pritur më shumë hapa dhe veprime konkrete nga Bashkimi Evropian për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor; sido që të jetë, ne duhet ta marrim këtë raport ashtu siç është, duhet ta lexojmë drejt dhe ta interpretojmë, por edhe të punojmë në veprimet tona konkrete. Kosova ka ecur përpara, është në prag të dhjetë vjetorit të pavarësisë, ka pasur shumë njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare; rrugëtimi ynë është perspektiva evropiane, prandaj Kosova ka kohë që të kryej[ edhe shënimin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave. Në të njejtën kohë, duhet të kemi në parasysh, se rrethanat e Kosovës dallojnë nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, për arsye se ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian; kjo paqartësi për Kosovën është kryekëput jo një mosrezultat i angazhimeve të Kosovës, por një mungesë e unitetit evropian për Kosovën, në këtë rast të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros, kësaj radhe konkretisht nga Spanja.

Zëri i Amerikës: Zoti president, ju e keni kritikuar edhe herë të tjera Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës. Por përpara se të kritikoni BE-në a mendoni ju se Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj?

Presidenti Thaçi: Kosova ka përmbushur maksimalisht obligimet e veta, ta zëmë për liberalizimin e vizave, prej 95 kritereve që nuk i ka pasur asnjë vend i Ballkanit Perëndimor në këtë process për liberalizim të vizave; 94 prej tyre i ka përmbushur dhe ka mbetur çështja e kufirit me Malin e Zi që unë e kam vlerësuar gjithmonë si kriter i padrejtë, por ja që e kemi si kriter dhe ne nuk mund ta ndryshojmë Bashkimin Evropian, duhet të ndryshojmë vetë dhe të kryejmë detyrat tona, prandaj çështja e kufirit me Malin e Zi duhet të kalojë sa më shpejt, në mënyrë që të prodhojmë argumente edhe për ata që hezitojnë në Bashkim Evropian që ta mbështesin në mënyrë unike perspektivën evropiane e konkrete për Kosovën. Prandaj, ne në vend që të vazhdojmë me kritika për Bashkimin Evropian, duhet t’i marrim përgjegjësitë tona dhe t’i kryejmë obligimet tona në Parlamentin e Kosovës, sepse Bashkimi Evropian nuk vjen të votojë në parlamentin e Kosovës, por votojnë deputetët e Parlamentit të Kosovës dhe ne duhet t’i kryejmë ato përgjegjësi që neve na takojnë dhe ta lehtësojmë punën e BE-së për të ardhmen tonë konkrete.

Zëri i Amerikës: Zoti President, fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti e gjeti Kosovën në një situatë aspak të mirë sa u përket marrëdhënieve edhe me aleatët e saj për shkak të nismës për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme për Kosovën. Përse u rrezikua Kosova që të humbte edhe aleatët e saj më të mirë në këtë proces?

Presidenti Thaçi: Askush nuk duhet të ketë frikë nga nismat e deputetëve: ata janë njerëz të zgjedhur nga qytetarët dhe idetë që prezantohen janë të diskutueshme e të debatueshme; nga debati nuk duhet të frikësohet askush. Kosova ka kryer obligimet e veta ndërkombëtare, në vitin 2015 e ka themeluar Gjykatën e Posaçme, edhe pse e ka vlerësuar që është e padrejtë historikisht dhe e ka thënë shumë qartë se askush nuk mund të mohojë të vërtetën e kryerjes së gjenocidit nga Serbia në Kosovë, ku kanë mbetur rreth 400 masakra të Serbisë të pa hetuara, të kryera kundër shqiptarëve, ndërsa është marrë seriozisht dhe ka qenë një prej lajmeve më të rrejshme të nxitura nga Rusia, dokumenti i Dick Marty-t, një dokumnet prej 10 apo 15 faqesh. Por në të njejtën kohë, ajo që dua të theksoj është se Kosova ka marrë obligimet për Gjykatën e Posaçme, ka marrë obligime të tjera ndërkombëtare dhe do t’i kryejë me përpikmëri. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Prej të gjitha vendeve të rajonit, kur dikush është akuzuar,në asnjë rast njerëzit e Kosovës nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por kanë shkuar vullnetarisht, kanë dëshmuar pafajësinë e tyre, janë liruar e sot janë bartës të institucioneve të vendit; Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, pra Gjykata e Posaçme është themeluar dhe nuk do të zhbëhet.

Zëri i Amerikës: Por çfarë çoi në ndryshimin e këtij vendimi nga ana e ligjvënësve të Kosovës dhe a ja vlejti i gjithë ky proces duke marr parasysh izolimin nga aleatët më të mirë të Kosovës?

Presidenti Thaçi: Kosova nuk rrezikohet nga idetë e deputetëve, Kosova rrezikohet nga mos ecja përpara. Ky proces e ka pasur një të mirë, sepse edhe kritikët e vitit 2015, që në atë kohë ishin në gjendje ta kallin edhe Parlamentin e Kosovës, për të refuzuar Gjykatën e Posaçme, kësaj radhe ishin entuziastë për themelimin e gjykatës; kështu, Kosova në këtë drejtim është unike, ka qëndrim të drejtë dhe vendimin e shtetit të Kosovës e kam prezantuar edhe javën e kaluar; ai është i qartë, gjykata është themeluar dhe nuk do të shfuqizohet.

Zëri i Amerikës: Integrimi i Kosovës dhe i Serbisë në Europë lidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ku ndodhet Kosova në bisedimet me Serbinë?

Presidenti Thaçi: Është domosdoshmëri arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas një standardi dhe modeli evropian; është në interesin e të dyja vendeve tona, sepse vetëm një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve të fqinjësisë, bashkëpunimi dhe pajtimi në mes dy vendeve tona do t’ia lehtësojë Kosovës dhe Serbisë perspektivën evropiane. Duke mos arritur një marrëveshje, ne do t’ia pengojmë dhe vështirësojmë rrugën njëri tjetrit, prandaj një marrëveshje e tillë, që unë shpresoj se do të arrihet në vitin 2018, do të hapë një perspektivë të sigurt, konkrete evropiane për Kosovën dhe për Serbinë por edhe për tërë rajonin.

Zëri i Amerikës: Zyrtar serbë kanë hedhur sërish idenë e ndarjes së Kosovës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve; këto ditë Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin tha se Serbia duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës, duke hedhur idenë që Beogradi të bisedojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën…

Presidenti Thaçi: Shqipëria është vend sovran, Serbia është vend sovran, Kosova është vend sovran; çdo herë Serbia ka pasur pretendime me Tiranën për Kosovën, për të zhvlerësuar shtetësinë e Kosovës, kredibilitetin e saj dhe për të mohuar shtetësinë. Tirana nuk do të bjerë në këtë lajthitje dhe këtë e ka bërë të qartë edhe më herët. Vetëm marrëveshja direkte në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ka kredibilitet. Çdo përpjekje devijuese është e dështuar, prandaj Tirana e mbështet dialogun, por e mbështet si një vend sovran, sikurse vendet tjera të rajonit. Tendencat për ndarje të Kosovës kanë qenë të hershme, janë edhe sot aktuale dhe do të jenë edhe nesër, por diçka e tillë është e parealizueshme. Kosova është vend Sovran me integritet territorial të respektuar e të garantuar ndërkombëtarisht. Kosova e Serbia duhet të arrijnë marrëveshje dhe atë marrëveshje duhet ta mbështesë edhe Bashkimi Evropian; e kanë mbështetur në takimin që e kam pasur më herët me Nënpresidentin Pence edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë në favor të arrtijes së kësaj marrëveshjeje historike përfundimtare Kosovë-Serbi, e cila do të kishte edhe obligime zbatuese ligjore.

Zëri i Amerikës: Si do të duket kjo marrëveshje me Serbinë. A keni ndonjë kornizë?

Presidenti Thaçi: Është herët të flitet se si do të duket, por me rëndësi është që Kosova duhet të funksionojë në një konensus sa më të të gjerë politik dhe të shoqërisë civile; në të njejtën kohë do të respektohet sovraniteti i çdo vendi dhe në të njejtën kohë integriteti territorial, ndërsa natyrisht do të punohet që të jetë gjithçka në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës; unë besoj që në përmbyllje të këtij procesi Kosova do të fitojë të drejtën për së paku anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; nëse nuk është e mundur në këtë kohë që të ndodhë njohja nga Serbia, e mira dhe mrekullia do të ishte të ndodhë njohja reciproke, që kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë; mendoj se me arritjen e marrëveshjes vendimtare dhe historike ndërmjet dy vendeve tona, Kosova do të jetë pjesë e familjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me këtë do t’i hiqet e drejta edhe pesë vendeve të Bashkimit Evropian për mosnjohje, si dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurisë si Rusisë dhe vendeve tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është po ashtu një kriter i shtruar në strategjinë e BE-së për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si po ecën kjo marrëveshje?

Presidenti Thaçi: Pikërisht këtë desha ta them, sikur Kosova do të kalonte marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi para dy vite e gjysmë kur e kemi nënshkruar atë, liberalizimi i vizave do të ndodhte dhe BE nuk do të kishte asnjë arsye që të mos përfshinte Kosovën në mënyrë konkrete në strategjinë e vet. Shënimi i kufirit me Malin e Zi shpresoj dhe besoj do të kalojë në ditët dhe javët e ardhshme, jemi duke punuar për një konensus sa më të gjerë politik të të gjitha partive politike dhe institucioneve, që të kemi propozim në Parlamentin e Kosovës, kryesia e parlamentit ta kalojë sa më shpejt dhe të votohet në parlament. Dje ka pasur për të ardhur në vizitë edhe kryeministri i Malit të Zi në Kosovë, por për shkak të kushteve atmosferike, kjo vizitë është shtyrë. Kjo problematikë nuk është ndërmjet Ksoovës dhe Malit të Zi është çështje e brendshme e institucioneve vendore dhe Kosova jam i bindur se do t’i kryejë obligimet e veta edhe përsa i përket shënimit të kufirit me Malin e Zi. Është nevojë urgjente kalimi i kësaj çështjeje, sikurse edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të tregojmë kredibilitetin dhe fuqinë tonë përballë objektivave tona, që janë edhe obligimet që marrim në bisedimet në Bruksel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se renditja e…