Thaçi: Partneriteti mes institucioneve dhe bizneseve, parakusht për suksesin e shtetit të Kosovës

02 gusht 2018 | 13:28

Presidenti Kosovës Hashim Thaçi, ka vizituar të enjten Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ku është pritur në takim nga  kryetari i kësaj ode, Berat Rukiqi dhe nga një grup afaristësh  vendorë.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për medie, Thaçi ka thënë se gjithnjë ka qenë i përkushtuar që të ruhet partneriteti në mes të institucioneve dhe bizneseve. “Gjithmonë ka qenë në përkushtimet e mia, që të ruhet fokusi te kultivimi i partneritetit në mes të institucioneve të Kosovës dhe biznesit kosovar, si kusht i domosdoshëm për sukses të shtetit tonë, për krijimin e kushteve më të mira, më adekuate, më atraktive, për biznes, por edhe për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi ka thënë se Kosova ka legjislacionin më të mirë në rajon, i cili sipas tij krijon një klimë të përshtatshme për të kryer veprimtari biznesore.  “Shteti ynë ka një stabilitet të qëndrueshëm, ka një legjislacion bashkëkohor që nuk e kanë vendet e tjera të rajonit. Është një klimë e mirë për bizneset. Do ta ruajmë këtë partneritet të institucioneve për të shikuar mundësitë dhe lehtësuar rrethanat e biznesit në Kosovë. Mendoj se ky koordinim në sektorin privat do të mund të fuqizojë ekonominë tonë, përpjekjet tona për modernizimin e vendit tonë”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është një proces që i takon çdo qytetari dhe çdo kategorie të shoqërisë. “Më herët është nënshkruar një marrëveshje në mes Odës Ekonomike të Republikës së Kosovës dhe Serbisë mbi mundësinë e bashkëpunimit. Do të jetë me rëndësi, që në rast eventual të arritjes së marrëveshjes historike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë për paqe, normalizim, pajtim, që nënkupton edhe njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësim të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Thaçi në fund ka thënë se shteti ynë do të jetë shtet i mundësive dhe do të punohet edhe më tepër për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se presidenti Thaçi edhe në kapacitetet e tjera institucionale dhe politike ka treguar kujdes të veçantë për bizneset dhe për punën e këtë odë, prandaj, sipas tij, ky është vetëm një vazhdim i një komunikimi që ka ekzistuar vazhdimisht. “Një komunikim, i cili tash në kapacitetin tjetër, ku roli i presidentit  në kuptim të zhvillimit ekonomik është më i kufizuar, sigurisht se është një garancë e funksionimit të institucioneve dhe si garancë e funksionimit të institucioneve, normalisht e ka rëndësinë e vet për shkak se një funksionim i mirëfilltë i institucioneve, një funksionim demokratik i institucioneve, është parakusht edhe për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka theksuar se liberalizimi i vizave do t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë integrimit të ekonomisë tonë në tregjet ndërkombëtare, sidomos në relacion me vendet e Bashkimit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ruajtja e stabilitetit makroekonomik përmes një qasje të kujdesshme në…