
Thaçi: Pjesën teknike e kemi diskutuar për nëntë vjet, dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka njoftuar liderin e opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha, për zhvillimet e fundit politike në vend, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë.
“Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë dhe mundësitë e bashkëpunimit më të mirë në mes institucioneve tona dhe njerëzve tanë. Destinacioni është që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë së është me rendësi jetike që të ketë koordinim në mes të spektrit politik për procesin e dialogut.
“Është me rëndësi që të kemi konsensus sa më të gjerë në perspektivën evropiane dhe atë të dialogut. Diskutuam për dialogun dhe është me rëndësi jetike të kemi koordinim të gjithë spektrit politik që të jetë një angazhim i unitetit”, është shprehur Thaçi, duke shtruar se për pjesën teknike të dialogut kanë biseduar tash e nëntë vite.
“Është me rëndësi jetike koordinimi me Uashingtonin dhe Brukselin. Dialogu duhet të përmbyllet, jo në aspektin teknik sepse kemi diskutuar nëntë vjet, por të përmbyllet me njohje reciproke”, ka thënë Thaçi.