
Thaçi thumbon Kurtin: Pesë vitet e fundit, vetëm dy njohje, asnjë anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shprehur shqetësimin për ecurinë e shtetësisë së Kosovës gjatë pesë viteve të fundit, duke kritikuar tërthorazi qeverisjen e Albin Kurtit.
“Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit. Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për Kosovën”, tha Thaçi në Rubikon.
Ai gjithashtu vuri në dukje mundësitë që sjell rikthimi i Donald Trump në politikën amerikane:
“Rikthimi i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim mes popujve”.
Ish-presidenti përmendi edhe njohjen e fundit të Kosovës nga Izraeli, duke e lidhur atë me përpjekjet e Trumpit dhe ambasadorit Grenell:
“Të rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell”.