‘The Guardian’ kritikon Seria A: Epoka e artë ka mbaruar, tani është kampionati i veteranëve

21 korrik 2025 | 11:30

Transferimet e bujshme të Luka Modriq dhe Kevin De Bruyne në Serie A kanë rikthyer vëmendjen mbi kampionatin italian, jo për nivelin teknik, por për moshën e avancuar të shumë prej protagonistëve të tij. Mediat britanike, veçanërisht “The Guardian”, kanë ngritur gishtin ndaj tendencës gjithnjë e më të theksuar të futbollistëve të afirmuar që kërkojnë të rilindin ose të mbyllin karrierën në Itali, pikërisht pranë të 40-ave.

“Modriq do të mbushë 40 vjeç në shtator. Ka luajtur 930 ndeshje, ka fituar shtatë kampionate, gjashtë Liga të Kampionëve dhe ka thyer duopolin Messi-Ronaldo duke fituar ‘Topin e Artë’ pas finales së Botërorit me Kroacinë në 2018”, shkruan “The Guardian”.

“Sot rrallëherë qëndron në fushë për 90 minuta, nuk ka qenë titullar në Botërorin për Klube dhe ka përjetuar një lamtumirë të zymtë nga Real Madridi. Do të mund të ishte tërhequr pesë vite më parë, por ka zgjedhur të transferohet te Milani, me sytë nga Botërori i ardhshëm”.

Gazeta britanike thekson më tej se Serie A po shndërrohet në një “tokë premtuar” për veteranët. De Bruyne është një tjetër emër i madh që i bashkohet kampionatit, ndërkohë që në Itali luajnë ende Acerbi (37-vjeçar), Mkhitaryan (36), De Roon (34) dhe Cuadrado (37). Statistikat janë të qarta: mosha mesatare e lojtarëve në Serie A është 14 muaj më e lartë se ajo e 31 kampionateve më të rëndësishme evropiane.

“Në Angli, futbolli është për të rinjtë”, thuhet më tej. “Në dekadën e fundit, numri i lojtarëve nën 23 vjeç që luajnë mbi 900 minuta në Premier Ligë është rritur me 32%. Në të njëjtën kohë, të gjithë fituesit e ‘Topit të Artë’ që nga Kaka (2007) janë ende aktivë”.

Kjo, sipas Guardian, lidhet me përmirësimet në aspektin fizik dhe mjekësor: futbollistët ushqehen më mirë, stërviten më efektivisht dhe rikuperohen më shpejt. Nëse më parë një dëmtim i rëndë mund të përfundonte një karrierë, sot këto janë plagë të përballueshme. Ndërkohë, për lojtarët që kanë kaluar kulmin, kampionate si MLS dhe Arabia Saudite ofrojnë paga marramendëse. Messi dhe Ronaldo janë shembuj të qartë. Por ndërkohë që këto liga shfrytëzojnë famën e tyre për të rritur profilin, Italia mbetet një kampionat me prestigj më të lartë, edhe pse larg lavdisë së viteve ’80 dhe ’90.

“Serie A është një kampionat i ngadalshëm, ku yjet e vjetër ende mund të shkëlqejnë. Gjermania ka trajnerë të rinj me iPad në dorë, Spanja ka ‘El Clasico’, Franca ka PSG-në. Italia duhet të përballet me realitetin e një epoke të ndryshuar, asnjë klub italian nuk është më mes 10 më të pasurve në botë, dhe që nga triumfi i Interit në 2010, asnjë skuadër nga Serie A nuk ka fituar Ligën e Kampionëve”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shkëmbim i pazakontë videosh në rrjetet sociale ka rikthyer…