
The Times: Agjentët izraelitë të infiltruar në Iran që nga viti 2010, monitoronin programin bërthamor
Izraeli ka pasur agjentë të infiltruar brenda Iranit që prej vitit 2010, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimet e programit bërthamor dhe të armëve balistike të Teheranit – kështu raporton gazeta britanike The Times, në një hetim të publikuar së fundmi.
Sipas dokumenteve të klasifikuara, që janë bërë publike përmes burimeve të afërta me shërbimet e inteligjencës, Irani deri në fund të vitit 2024 ishte afër aftësisë për të ndërtuar një armë bërthamore brenda disa javësh. Hetimi tregon se agjentët izraelitë kishin depërtuar në qendra kyçe të programit iranian si instalacionet bërthamore në Natanz, Isfahan, dhe zyrat qendrore të Gardës Revolucionare Islamike – objekte që më pas u goditën nga sulme ajrore të shënjestruara.
Sipas të njëjtave dokumente, Irani kishte në plan prodhimin e rreth 1,000 raketave tokë-tokë çdo vit, pjesë e një strategjie për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe për të rritur ndikimin rajonal.
Zbulimet e The Times nënvizojnë përgatitjen shumëvjeçare të Izraelit për të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj objektivave strategjikë iranianë, të mbështetura mbi informacion të detajuar të mbledhur nga rrjeti i tyre i inteligjencës në terren.