Theksohet rritja e cilësisë dhe efikasitetit në përgatitjen dhe trajtimin e lëndëve penale
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, mori pjesë në punëtorinë me temë: “Sistemi i Propozuar i Sigurimit të Cilësisë së Punës me Lëndë”, në të cilin morën pjesë edhe prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorët e prokurorive themelore dhe nga një përfaqësues i këtyre prokurorive, si dhe zMargaret Belof – udhëheqëse e Sektorit për Sundim të Ligjit në Ambasadën Britanike në Prishtinë.
Punëtoria filloi me prezantimin e draft propozimit për Sigurimin e Cilësisë së Punës me Lëndë nga udhëheqësi i projektit Nick Hawkins, i cili para të pranishmëve paraqiti synimet dhe objektivat kryesore të projektit, në funksion të avancimit të punës dhe forcimit të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies.
Me këtë rast u.d. kryeprokurori Qalaj, falënderoi Ambasadën Britanike në Prishtinë dhe përfaqësuesit e projektit për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në përpjekjet për avancimin e sistemit të drejtësisë penale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në forcimin e sundimit të ligjit dhe integritetit të institucioneve.
Tutje ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj theksoi se synimi kryesor i mbajtjes së kësaj punëtorie është rritja e cilësisë dhe efikasitetit në përgatitjen dhe trajtimin e lëndëve penale, duke siguruar që çdo rast të trajtohet me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe në përputhje me standardet më të larta ligjore dhe etike.
Në fund u.d. kryeprokurori Qalaj inkurajoi të gjithë kryeprokurorët që ta marrin me seriozitet këtë projekt dhe të angazhohen në vazhdimësi për të arritur cilësi në punën e përditshme.
Gjatë punëtorisë, u zhvillua diskutim i thelluar dhe gjithëpërfshirës mbi vlerësimin individual të cilësisë, për cilësinë e punës me raste dhe panelet e menaxhimit të lëndëve për monitorimin cilësor të aktakuzave dhe përgatitjen e lëndëve nga ana e prokurorëve, me theks të veçantë u diskutua për metodat të avancuara hetimore, të cilat janë thelbësore për mbledhjen e provave të besueshme dhe përgatitjen e aktakuzave me cilësi të lartë.
Kjo punëtori organizohet nga Projektit Rajonal për Integritetin Gjyqësor të mbështetur nga Qeveria Britanike, përkatësisht nga ekspertët Nick Hawkins dhe Douglas Mackay dhe zbatohet nga organizata Security Criminal Justice Solutions (SCJS).



