Thellohet skandali në futbollin turk, arrestohet presidenti i Fenerbahçes
Presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran, është arrestuar në Stamboll si pjesë e një hetimi të gjerë për drogën, të mbikëqyrur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit.
Sipas TRT-së, arrestimi erdhi pasi analizat mjeko-ligjore të mostrave të flokëve treguan praninë e narkotikëve, një rezultat që Saran e ka mohuar kategorikisht.
“Nuk kam përdorur kurrë drogë dhe do të kërkoj zyrtarisht riekzaminim”, ka deklaruar ai, duke këmbëngulur në pafajësinë e tij.
Hetimi ka nisur në fillim të dhjetorit dhe deri më tani ka çuar në arrestimin e më shumë se një duzine personash, përfshirë figura të njohura të medias, argëtimit dhe rrjeteve sociale, të akuzuar për prodhim dhe trafikim droge, si dhe vepra të tjera penale. Shumë prej të ndaluarve janë testuar përmes analizave të gjakut dhe flokëve për të verifikuar përdorimin e substancave narkotike.
Klubi i Fenerbahçes ka reaguar zyrtarisht duke i dalë në mbrojtje presidentit të tij dhe duke siguruar se funksionimi i klubit nuk do të ndikohet. “Kemi besim të plotë se presidenti ynë do ta kapërcejë këtë proces me mendje të shëndoshë dhe guxim”, është thënë në deklaratën e klubit, duke shtuar se Sadettin Saran “do t’i lërë këto ditë pas dhe do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për Fenerbahçen”.



