“Thembra e Akilit”, si po shfrytëzohen raportet mjeko-ligjore për zbutjen e akuzave dhe lirimin e kriminelëve
Personazhe të njohur të botës së krimit që u liruan me kusht përmes raporteve mjeko-ligjore të dyshimta, janë një dëshmi e qartë se si abuzimi me lirimin me kusht ka krijuar një skemë arratie për njerëzit e botës së errët.
Ky fenomen ka krijuar një rreth vicioz, ku drejtësia nuk është një mjet për ndëshkimin dhe rehabilitimin, por një mjet për t’i rikthyer ata në botën e krimit.
‘Këto kur dalin nga burgu policia i njeh si kontigjent kriminal, të hapur, që do të thotë i ka në mbikqyrje, për disa vepra p.sh për dhunë seksuale është hartuar një regjistër’ u shpreh Fehmi Sufaj, ZV.Drejtor i Burgjeve.
‘Padyshim që për sa kohë që një pjesë e akteve determinojnë ekzistencën e këtyre kushteve janë të një natyre prej eksperti në përpilim dhe nënshkrim përkatës mundet që me ekspertin të ketë një spekulim të konkluzioneve përkatëse por është lehtësish e gjurmueshme dhe e provueshme e kundërta. Përse e thashe sepse organi procedues, nese ka dyshime per fasl apo gënjeshter mund ta provoje këtë’ u shpeh avokati, Ardian Visha
Në këtë kontekst, ekspertët gjykojnë si thelbësore që organet e drejtësisë të rishikojnë praktikat e lirimit me kusht, të forcojnë masat për kontrollin e të dënuarve dhe të sigurojnë që ata që përfitojnë nga ky mekanizëm të jenë realisht të rehabilituar.
Duhet vërtetuar se ata janë të aftë për t’u rikthyer në shoqëri si qytetarë të ligjshëm dhe të përgjegjshëm. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i padiskutueshëm dhe të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të tij, pasi nuk janë të pakta rastet, ku me ekspertizën mjeko-ligjore abuzohet.
‘Kushtetuta dhe ligji ka përcaktuar standarde se si duhet të nisë hetimi disiplinor, sepse një hetim disiplinor është i verifikueshëm edhe nga këshillat edhe nga KPA, që kushtetuta ka parashikuar për të monitoruar vendimmarrjet e ILD edhe KLGJ e KLP dhe eventualisht në gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe nuk është rrugë e shkurtër dhe e lehtë për këtë ILD është e kujdesshme në ruajtjen e këtyre standardeve jo për individin, por për figurën e gjyqtarit e prokurorit’ u shpreh Artur Metani, drejtues ILD.
Ekspertizat mjeko ligjore të dyshimta, kanë ndikuar edhe në hetimin e çështjeve të caktuara. Ngjarja e ndodhur më 6 korrik 2023 në fshatin Borizanë të Krujës është një shembull tipik i mënyrës se si drejtësia shqiptare funksionon me dy standarde: një për të zakonshmit dhe një tjetër për të fortët. Sulmi i anëtarëve të fisit Rraja ndaj kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja, i dokumentuar nga kamerat dhe dëshmitarët okularë, duhet të kishte çuar në një ndjekje të rreptë ligjore. Megjithatë, pas ndërhyrjes së institucioneve të drejtësisë, akuzat u lehtësuan, duke e kthyer një rast të rëndë dhune në një çështje që duhej ndjekur nga vetë viktimat përmes një ankese private.
‘ILD vihet në lëvisje me 3 mënyra. E para është me ankesa, ku çdo qytetar ose institucion publik mund ti drejtohet ILD me letër për shkeljet dhe patjetër me emrin e magjistratit. Mënyra e dytë është kjo që thamë nëpërmjet inspektimeve tematike, ku inspektori mund të identifikojë shkelje disiplinorë të magjistratëve në sistem. Dhe mënyra e tretë është ndërhyrja e inspektorit të lartë të drejtësisë, me iniciative kur verën se ka vend apo është çështje që i përket kompetencës së tij’ u shpreh Artur Metani, drejtues ILD.
Pamjet filmike dhe dëshmitë tregonin qartë natyrën brutale të sulmit. Ishte një akt i organizuar, i cili nuk linte vend për interpretime. Dhuna u ushtrua publikisht, pa asnjë frikë nga pasojat, duke treguar qartë besimin e agresorëve se nuk do të ndëshkoheshin. Madje ishin vetë ata që kishin filmuar edhe ngjarjen.
Në një shtet normal, kjo do të kishte rezultuar në ndjekje penale të pakushtëzuar. Por, vetëm dy javë pas arrestimeve të kryera, ekspertiza mjeko-ligjore arriti në një përfundim të diskutueshëm: se plagët e viktimave nuk ishin të rrezikshme për jetën dhe se dëmtimet e pësuara nuk justifikonin akuzën për “plagosje të rëndë me dashje”
‘Për mua çdo mjek është ekspert në profesionin e vet i cili nuk duhet të licensohet vetëm nga Ministria e Drejtësisë dhe të quhet ekspert i mjekësisë ligjore , për mua është një rast i cili do rishikuar dhe nuk duhen lerë tagrat tek një grup njerëzish’ u shpreh Bledar Meminaj, avokat.
Ky akt i hartuar nga ekspertë të drejtësisë mjeko-ligjore u përdor nga Prokuroria për të ndryshuar klasifikimin e veprës penale, duke e zbutur atë në “plagosje të lehtë me dashje”. Në këtë mënyrë, barrën e ndjekjes penale nuk e mbante më shteti, por vetë viktimat, të cilët duhet të paraqisnin një kërkesë zyrtare për të vijuar ndjekjen e agresorëve. Ky ndryshim nuk ishte thjesht një teknikalitet ligjor, por një manovër që e bënte praktikisht të pamundur ndëshkimin e autorëve të dhunës.



