Themelohen tri departamente të reja në Prokurorinë Speciale të Kosovës

21 shkurt 2020 | 14:05

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar sot në takimin e tij të rregullt, të 178-tin me radhë, raportin vjetor të punës së KPK-së për vitin 2019, i cili është prezantuar nga kryesuesi Bahri Hyseni, me ç’rast ka shpalosur aspekte të veçanta dhe përmbajtjesore për punën njëvjeçare të Këshillit.

Gjithashtu, Këshilli ka miratuar themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës: Departamentin për Luftimin e Korrupsionit, Departamentin për Krim të Organizuar dhe Krim Financiar dhe Departamentin Kundër Terrorizmit, të cilat i ka prezantuar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Nga ana tjetër, KPK-ja ka miratuar dy raporte periodike për periudhën korrik-shtator dhe tetor-dhjetor të vitit 2019, që hartohen në kuadër të raportimeve të rregullta për luftimin e krimeve ekonomike, të cilat i prezantoi Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka miratuar edhe kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit për transferimin e tre prokurorëve, dy në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe ka marrë vendim për transferimin e një prokurori nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Mitrovicës për një periudhë të caktuar.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Këshillin Kosovar…