
Theophilus Solomon, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”, për lojtarin më të mirë të xhiros.
“Ylli i javës” për xhiron e 13-të në BKT Superligë është shpallur futbollisti nigerian në radhët e FC Ballkani, Theophilus Solomon
Sulmuesi 25-vjeçar i portokallezinjve ishte vendimtar në fitoren që skuadra e tij e arriti në derbin e javës kundër Drita FC (2-0). Ai shënoi të dy golat e kësaj përballje, duke ia mundësuar FC Ballkanit që të rikthehet në pozitën e parë.
Sulmuesi nigerian bëri bujë të madhe me transferimin te Ballkani, pasi vlerësohet si një futbollist mjaft produktiv dhe tashmë dalëngadalë po e kap formën e tij më të mirë edhe në futbollin kosovar, pasi përveç se ka shënuar 3 gola, ndeshje pas ndeshjesh po u shkakton telashe mbrojtjeve kundërshtare.
Çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin e Ballkanit, e ndau Natare Hadri, specialiste në departamentin e marketingut në BKT.