Thirrja e Vuçiqit për zgjedhje të reja në Veri, politikani serb: Është një njohje e humbjes së politikës së tij

14 tetor 2023 | 17:55

Kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçilo Trajkoviç, ka thënë se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, me thirrjen që u bëri serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje në Veri, “po përpiqet në mënyrë shumë të korruptuar t’i korrigjojë gabimet katastrofike që bërë vitin e fundit në Veri të Kosovës”.

Këto komente ai i bëri në një intervistë për median opozitare serbe “Nova”, teksa rikujtoi kushtet që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – i kishte vënë pas largimit nga institucionet kosovare, ndër të cilat tërheqjen e njësive policore nga Veriu, por edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asnjë nga këto kushte nuk është plotësuar. Jo vetëm që nuk janë përmbushur, por situata në të cilën ndodhen serbët sot është katastrofike, tragjike. Në një atmosferë të tillë, presidenti, i cili premton se do t’i mbrojë serbët, propozon që të paraqesin iniciativë për zgjedhje. Është një njohje e humbjes së politikës së tij”, theksoi Trajkoviç.

Të gjithë këtë situatë, ai e konsideroi si një “lojë” e Vuçiç-it me serbët e Kosovës, madje “lojë e prishur”, pasi që tha se po luan “me fatet, kokat” e njerëzve.

“Mirëpo, këtë e bën sepse ka porosi nga një faktor ndërkombëtar. Ai duhet të plotësojë kushtet e tyre për të dalë nga problemi që krijoi. Dhe përsëri do ta transferojnë tek ne, te serbët nga Kosova. Këtë herë serbëve nga Veriu”, shtoi.

Trajkoviç nuk është i sigurt nëse ka një mjedis ku serbët do të pranojnë një iniciativë të tillë.

“Dhe pastaj nëse situata ndërlikohet, ai [Vuçiç] do të ketë arsye të thotë se ata janë përgjegjës për situatën në të cilën janë gjetur”.

Një gjë të tillë, pohon ai, “Vuçiç bëri edhe në fjalimin e tij të parë para publikut pas incidentit në Banjë, kur tha se atë e kanë bërë serbët e Kosovës”.

Edhe vetë sulmin në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi, Afrim Bunjaku, politikani serb nga Kosova deklaroi se është “pasojë e politikave” të Vuçiç-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, bashkë me Nebih…