Thirrjet e Sfeçlës pa efekt: Diaspora po përballet me pritje të gjata në kufij
Thirrjet e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, drejtuar homologëve të tij në Kroaci, Mal të Zi dhe Shqipëri, duket se nuk kanë dhënë rezultat, pasi mërgimtarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pritje të gjata dhe kontrolle të rrepta në pikat kufitare.
Sipas burimeve, ministri Sfeçla dje ka zhvilluar biseda telefonike me ministrat e linjës në këto shtete, duke kërkuar lehtësim të qarkullimit dhe shmangie të vonesave për diasporën që po udhëton drejt Kosovës për festat e fundvitit. Megjithatë, ai nuk ka ndërmarrë një veprim të ngjashëm ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, ndonëse mbi 80 për qind e mërgimtarëve shqiptarë përdorin rrugët tranzite përmes Serbisë për të ardhur në Kosovë.
Pavarësisht këtyre thirrjeve, në terren situata mbetet e rënduar. Vetëm në pikën kufitare Kroaci–Mal i Zi, qytetarët po raportojnë pritje me orë të tëra dhe kontrolle të detajuara, ndërkohë që shumica prej tyre janë nisur për t’i kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre.
Vonesa të ngjashme janë raportuar edhe në kufirin Serbi–Kosovë, ku mërgimtarët po përballen me pritje të gjata në kushte të vështira atmosferike, temperatura të ulëta dhe mjegull në rrugë.
Diaspora po shpreh pakënaqësi për mungesën e koordinimit institucional dhe po kërkon masa konkrete për të lehtësuar qarkullimin gjatë kësaj periudhe festive.



