
Thyhet dhe demolohet zyra ku punonte ish-luftëtari i UÇK-së, Agim Pllashniku (Foto)
Zyra ku punonte në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc” ish-luftëtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, është thyer dhe demoluar.
Në adresë të gazetës “Epoka e re” kanë ardhur disa fotografi ku shihet se zyra e ish-luftëtarit të UÇK-së, Agim Pllashniku, në Njësinë Punuese Shkabaj, është thyer dhe demoluar.
Pllashniku para disa ditësh u largua nga puna në “Ibër-Lepenc”, pasi protestoi kundër deputetes së LV-së, Fitore Pacolli, të cilën e quajti “hajneshë” për grantet që raportohet se kinse kanë fituar familjarët e saj.
Ndërkaq pas kësaj proteste pasoi vendimi me largim nga puna në ndërmarrjen “Ibër Lepenci”, e cila drejtohet nga Faruk Mujku.
Atij i është përcjellë edhe vendimi, ku shkruhet: “Z. Agim Pllashniku i shkëputet kontrata e punës me efekt të menjëhershëm nga data e nënshkrimit të këtij vendimi”.
Për këtë vendim kishte reaguar edhe avokati i Pllashnikut, Gent Gjini, i cili ka thënë se kontrata i është ndërprerë pa paralajmërim ose pa ndonjë vërejtje.
Agim Pllashniku në forma të ndryshme kohëve të fundit ka dalë në përkrahje të çlirimtarëve në Hagë dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.