Thyhet me eksploziv një bankomat në Prishtinë, grabiten të gjitha paratë

07 prill 2019 | 12:42

Rreth orës 04:00 të mëngjesit është grabitur bankomati i TEB-it në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Personat që kanë kryer grabitjen kanë përdorur një substancë shpërthyese dhe kanë arritur t’i marrin paratë që gjendeshin në bankomat.

Rastin për “klankosova.tv” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Nga informacionet e para dyshohet se katër persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë në objektin ku ka qenë i vendosur bankomati. Pas shikimit të vendit të ngjarjes është ngritur dyshimi se te dyshuarit duke përdorur substancë shpërthyese kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të parave nga kasaforta e bankomatit dhe më pas janë larguar nga ai lokacion me veturën e tyre”, ka thënë Borovci.

Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim identifikimin e të dyshuarve si dhe ndriçimin e plotë të ngjarjes.

Ndërkaq, Driton Latifi nga Banka TEB, ka thënë se dëmi i shkaktuar ka qenë i madh për bankën.

“Ende nuk kemi shumë detaje për rastin, por dëmi është i madh pasi është përdorur edhe substancë shpërthyese për t’i shkatërruar mjetet”, ka thënë Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Publicisti Bardhyl Mahmuti nëpërmjet një letre publike për të tretën…