Ti, që nuk paguan punëtorin je mashtrues!

01 gusht 2025 | 13:02

Albinot Maloku

“Sot, punëtori i vërtetë i RTK-së u ngrit nga gjumi jo sepse e thirri ora, por sepse e thirri ndërgjegjja e pastër…” Kështu nis një shkrim patetik që më shumë se reflektim, është një përpjekje për të maskuar dështimin personal dhe institucional me fjalë të buta.

Për secilin që njeh realitetin, është një epitaf për dinjitetin e shkelur. Është një përpjekje për të zbukuruar një varr të hapur; atë të besimit, të drejtës dhe të shpresës së një punëtori që nuk kërkon mëshirë, por vetëm shpërblimin për punën e ndershme.

Përmes një stili patetik, shkruesi provon të ngrejë në piedestal punëtorin që vjen në punë pa pagë, por pyetja që s’bëhet kurrë është: Pse ai punëtor nuk paguhet? Pse nuk e jetësuan yryshin e ndryshimeve ata që edhe Kushtetutës e ligjit i mëshuan në emër të të mirës për Transmetuesin publik?

Përgjigjja është e qartë dhe e drejtpërdrejtë; drejtuesit e rinj të RTK-së që erdhën me yrysh për reforma, sollën vetëm zhgënjim, keqmenaxhim dhe heshtje të pajustifikueshme. Ata premtuan transparencë, llogaridhënie dhe rimëkëmbje. Premtuan ndarje nga klanet dhe pavarësi redaksionale. Bile shkuan aq larg sa thonin që “mendimi nuk paguhet”! Sot, asgjë nga këto nuk ekziston. Sot e kemi një RTK më të lodhur, më të varfër dhe më të nënshtruar. Radiotelevizioni i Kosovës ka drejtues që heshtin kur duhet të flasin, që justifikohen kur duhet të veprojnë dhe që zhduken nga përgjegjësia kur institucionit i bie çatia mbi kokë.

Në vend të veprimit, ata kanë zgjedhur që t’i mbështjellin dështimet me poezi morale për punëtorin që reziston dhe për “dinjitetin” pa shpërblimin e pagës. Dinjiteti nuk ndërtohet mbi përralla, rima e poezi, por ndërtohet mbi drejtësi. Dhe drejtësia në këtë rast është paga, siguria në vendin e punës dhe një institucion që nuk jeton nga improvizimet, por nga organizimi dhe vizioni.

Është fyese që punëtori i RTK-së duhet të ngrihet në mëngjes jo për bukën e fëmijëve, por për idenë e “dinjitetit”. RTK nuk është tempull fetar, edhe pse edhe me fe ka një urdhër ku thotë: “Jepjani pagën punëtorit para se t’i thahet djersa në ballë”, dhe punëtori nuk është shenjtor. Ai është qytetar që meriton pagë, respekt dhe drejtësi. Dinjiteti është ky!

Dhe, ndërkohë që punëtori nuk pret më as pagë, as respekt, drejtuesit e RTK-së vazhdojnë të sillen sikur janë të dërguar me mandat hyjnor, duke injoruar krizën dhe duke fyer çdo ndjenjë njerëzore me përralla moralizuese!

Në fund të ditës, nuk është sistemi që fshin njeriun, por janë njerëzit në sistem që vendosin ta bëjnë të padukshëm atë. Dhe, nëse kjo vazhdon kështu, atëherë nuk do të ketë më as punëtorë, as publik, as RTK, por vetëm një gërmadhë të një premtimi të shkelur, ku heshtja nuk është më akt përulësie, por akt nënshtrimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme Qeveria Kurti ka marrë një vendim…