
Time Kadrijaj: Çuditshëm, Kurti që deklaronte se i ka votat, tash qenka dorëzuar e po ankohet
Zgjedhjet duket se janë alternativë dhe jo formimi i qeverisë së re.
Kështu ka thënë sot kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me diasporën në Londër të martën, teksa la të kuptohet se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të dështojë në formimin e qeverisë së re.
Ai tha se nuk është e lehtë dhe se ka shumë xhelozi e inate, teksa tha se po bisedon, pa treguar me cilat parti apo deputetë.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.
Por, Kurti para se të konstituohej Kuvendi i Kosovës, kishte deklaruar se i kishte numrat për qeveri, e opozita duhej ta konstituonte Kuvendin dhe t’ia jepte mundësinë atij për formimin e qeverisë së re.
Për këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Blic se Kuti qenka dorëzuar dhe po ankohet se nuk i ka votat.
”Tash, çuditshëm, njeriu që ka deklaruar se i ka votat për qeveri, tash qenka dorëzuar e po ankohet se nuk i ka votat”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes, askush nuk bashkëpunon me një person përçarës dhe që i ka dëmtuar raportet me të gjithë.
“Askush nuk po bashkëpunon me personin përçarës që i ka dëmtuar raportet me të gjithë e edhe me ndërkombëtarë për interesa partiake”, ka deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.