TIME zbulon 100 figurat më me ndikim në botë për vitin 2026

17 prill 2026 | 21:04

Revista prestigjioze amerikane TIME ka publikuar listën vjetore TIME100 për vitin 2026, duke zbuluar emrat e 100 personave që konsiderohen më me ndikim në botë në fusha si politika, biznesi, teknologjia, sporti, arti dhe aktivizmi.

Në kategorinë e liderëve politikë dhe vendimmarrësve globalë, lista përfshin emra të njohur si Papa Leoni i XIV-të, presidenti i Kinës Xi Jinping, presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kancelari kanadez Mark Carney, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, mes figurave të tjera që kanë luajtur rol kyç në zhvillimet ndërkombëtare gjatë vitit të fundit.

Në politikën amerikane dhe qeverisjen vendase, TIME përfshin figura si Marco Rubio, Gavin Newsom, Mark Kelly, Susie Wiles dhe Steve Witkoff, duke evidentuar ndikimin e tyre në jetën politike dhe institucionale të Shteteve të Bashkuara.

Sa i përket biznesit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, në listë renditen emra si Sundar Pichai, drejtuesi i Google, Dario dhe Daniela Amodei nga Anthropic, Michael Dell, Neal Mohan, Sarah Friar, Jeremy Allaire dhe krijuesi i përmbajtjes MrBeast, të cilët TIME i konsideron si ndër figurat që po formësojnë ekonominë dhe inovacionin global.

Në sektorin e shkencës dhe shëndetësisë janë përfshirë studiues dhe novatorë si Reid Wiseman, Tony Tyson dhe Kiran Musunuru, ndërsa në aktivizëm dhe të drejtat civile lista përfshin emra si Shirin Ebadi, Dolores Huerta dhe Shannon Minter.

Bota e artit dhe argëtimit përfaqësohet nga aktorë dhe artistë të njohur si Zoe Saldaña, Dakota Johnson, Benicio Del Toro, Ben Stiller, Kate Hudson, Claire Danes, Ethan Hawke dhe Nikki Glaser. Në muzikë, pjesë e listës janë Luke Combs, Coco Jones, Jennie, Hilary Duff dhe Noah Kahan.

Në sport, TIME ka përzgjedhur emra si pilotin e Formula 1 Lando Norris, sprinterin Noah Lyles, snowboardisten Chloe Kim dhe golfistin Scottie Scheffler, duke i renditur ndër sportistët më me ndikim të momentit.

Sipas TIME, personi me më shumë paraqitje në historinë e listës këtë vit është Xi Jinping, i cili përfshihet për herë të 14-të, më shumë se çdo figurë tjetër në renditjen e sivjetshme. Donald Trump ndjek me paraqitjen e tij të tetë në këtë klasifikim.

Kryeredaktori i revistës, Sam Jacobs, theksoi se lista nuk bazohet në popullaritet apo famë, por në ndikimin konkret që individët kanë ushtruar mbi zhvillimet globale gjatë vitit të fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëe të Komisionit të…