
‘Tingëllon absurde zoti gjykatës’, Rubin mohon të ketë parë ndonjëherë shtab të përgjithshëm të UÇK-së
James Rubin, ish-top zyrtari amerikan dhe krahu i djathte i Madeleine Albright, duke u marrë në pyetje nga gjyqtarët e Gjykatës Speciale në dëshminë e tij mbrojtëse në rastin e Hashim Thaçit – mohoi të ketë parë, qenë në dijeni dhe të ketë ekzistuar në rend të parë një “Shtab i Përgjithshëm” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një institucion hierarkik dhe i rregullt ushtarak – çka është edhe pretendimi i Prokurorisë Speciale.
“Nuk ka Shtab të Përgjithshëm që unë po e ditkam. Si një strukturë e rregullt komanduese. Është keqpërfaqësim. Ta përshkruash si Shtab të Përgjithshëm më tingëllon absurde”, ka thënë Rubin.
Referuar librit të Rexhep Selimit ku ai ka shkruar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe pajtimit të tyre për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, Rubin i ka qëndruar asaj se ishin disa komandantë dhe liderë të luftës, por se “Shtab të Përgjithshëm” nuk do ta kualifikonte.
“E pasaktë, zoti gjykatës. Unë nuk di kurrë të ketë raportuar (Hashim Thaçi) te Shtabi i Përgjithshëm, kurrë s’kam vëzhguar ekzistencë të një Shtabi të Përgjithshëm. Çka e di është që Thaçit i duhet të konsultohej me liderët politikë dhe ushtarakë”, ka thënë ai.