Tito që në fillim ka qenë kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare

11 gusht 2025 | 12:20

Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (5)

Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e pestë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për atë nëse klasa e atëhershme e komunistëve kanë mundur të bëjnë më shumë për çeshtjen e Republikës. Çka duhej të dinte Azem Vllasi asokohe e që nuk e thotë apo e anashkalon, thua se nuk kishte ditur asgjë? Gjithashtu në këtë pjesë të intervistës do të mësoni se a ishte Tito kundër statusit të Republikës për Kosovën

“Epoka e re”: Klasa politike e komunistëve thuhet se kishin bërë, aq sa mund të bënin asokohe, për shtrimin e çështjes së Republikës. A kanë mundur të bëjnë më shumë?
Hajdin Abazi: Pyetja juaj shumë e drejtpërdrejtë, mund të përgjigjet thjesht me po, po, kanë mundur të bëjnë më shumë, prej Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit e deri te Azem Vllasi.
Narracioni i Vllasit është se aq ka mund të bëhej – të shtrohej çështja deri te Titoja, që e kanë bërë katër prej udhëheqësve të asaj kohe, njëri ndër ta vetë Azemi. Mënyrën se si e tregon kontekstin merr konotacionin sikur të thuhej se i ishte thënë “Zotit” dhe se më larg se kaq nuk kishte ku të shkohej. Por ai u kishte thënë “Mos u kapni te emri!” dhe ata ishin zbythur, ose duke mos e kuptuar prapavijën dhe farsën e autonomisë kundrejt republikës, ose duke mos pasur guximin t’i thoshin se “emri” ishte determinues.
Madje, në një rast i paska pas përmend edhe vetë Azem Vllasi kërkesën për Republikë, por që ai e kishte thënë se ajo ishte punë e kryer (se ishte konsumuar ajo temë!), dhe ky ka heshtur e kurrë më nuk e ka zënë në gojë këtë çështje!
Nga mënyra se si shtrohet artikulimi i kërkesës për Republikë, fitohet përshtypja që krejt puna ka qenë qysh me mbërri e me fol me Titon; kurse esenca është se çfarë është thënë e si është thëne, pra cilat ishin argumentet kundër dhe a ishte shtruar nga këta ndonjë argument për. Dhe po qe se merret si karakteristik se si ia ka shtruar problemin Vllasi, duket më tepër fokusi ka qenë me guxuar me e përmend para tij, se sa me e elaborua dhe me u mundua me e bindë.
Le të supozohet se Tito e ka pasur taktikë me i provokua duke i amortizuar ose duke e mohuar një kërkesë për të matur pulsin se sa janë insistues, dhe kur e ka pa se aq lehtë tërhiqen, të ketë menduar se nuk e kanë aq seriozisht udhëheqja komuniste e Kosovës, se vetëm duan ta lajnë veten e të thonë se ne “e kryem tonën, ia thamë Titos”. Pyetja e thjeshtë: cili ishte feedbacku, çka ju tha ai dhe a patën kurajën t’i argumentonin bindshëm, sa ta bënin të reflektonte?
Bindja ime është se po, ka pasur mundësi të bëhej më shumë, të argumentohej më mirë, të insistohej duke treguar se kjo do ta fuqizonte federalizmin jugosllav, se kjo zgjidhje gjysmake i lente mundësi Serbisë për t’i rikthyer kompetencat centraliste mbi krahinat autonome. Ndoshta insistimi dhe parashtrimi i rreziqeve reale mund ta bënte të ndryshonte qasje, po edhe në se jo – do t’i tregohej se argumentet ia kishin parashtruar por ai ishte penguesi. Në vend të kësaj, ara autoritetit të Titos, duket se askush prej shqiptarëve nuk kishte guxim të fliste me zë kumbues, po vetëm të pëshpëriste dhe – kaq!
Do të duhej t’i bëhej e qartë (atij dhe forcave kroate-sllovene) se nuk ishin “armiqtë” (domethënë lëvizja e rezistencës kombëtare), po ishte vetë populli ai që tashmë po e kërkonte Republikën, se përmasat e tilla të pjesëmarrjes dhe të përleshjes me forcat e rendit përfshirë edhe ushtrinë që e kishin vënë në veprim dhe gjendja e jashtëzakonshme – ishin tregues se populli ishte i vendosur për t’i këputur vargonjtë e Serbisë mbi Kosovën, por të mbeteshin në Jugosllavi. Duke mos e bërë këtë dhe duke e atakuar popullin me etiketimet e fabrikuara serbomëdha, udhëheqja komuniste shqiptare e Kosovës u treguan sylesh dhe që në fillim kapitulluan ideologjikisht, politikisht dhe institucionalisht.
Mbase justifikimi mund të jetë se ai, perandori komunist Tito, i dinte të gjitha dhe ishte e pamundur të bindej ndryshe ashtu që të ndryshonte qëndrim. Në fakt, nuk ishte tamam ashtu. Duket se edhe ai ishte paksa i bindur se shqiptarët ishin provincial dhe të prapambetur, se do të mjaftoheshin vetëm me pak, se ata duhej të mbeteshin në atë gjendje për kalkulime të tjera të tij lidhur me shovinizmin serbomadh.
Po ashtu, e dinte se komunistët shqiptarë nuk janë këmbëngulës dhe të kundërvënies, sepse ishin nënshtruar më parë, që nga 1945 e deri te 1966. E tash, që në aparencë dukej sikur Serbisë iu kufizuan ndërhyrjet direkte në Kosovë, ishte një autonomi me ingranazhe edhe federative – udhëheqja e Kosovës dukej sikur po e lante gojën (sepse as nuk ishte bindëse dhe as nuk shtronte argumente që ta bënte Titon t’i merrte seriozisht ato e t’i shqyrtonte – ani se ai kishte skenarë të tjerë për shqiptarët).

“Epoka e re”: Meqë u përmend disa herë Tito, se edhe ashtu do të të pyesja në lidhje me të, dihet se ishte krijuar një opinion se padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve nuk i dinte Tito. Madje, edhe Plenumi i Brioneve më 1966, përmes platformës për luftimin e deformimeve, sikur e nxjerrë Titon se pa dijeninë e tij ishin bërë ato. Si qëndron e vërteta?
Hajdin Abazi: Nuk kishte gjë dhe nuk mund të kishte gjë që ai nuk e dinte dhe nuk e kontrollonte si brenda partisë ashtu edhe në çdo instancë të Jugosllavisë; e çështje tjetër është se përse i toleronte, si manovronte, ç’kalkulime bënte e si do t’i shfrytëzonte.
Për ta thënë troç, Tito jo vetëm ishte kundër statusit të Republikës për Kosovën, po ai ka qenë që në fillim kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Si e ka bërë këtë? Duke qenë se si sipas ideologjisë, komunistët kroato-sllovenë kishin për objektiv luftimin e imperializmit e Serbia ishte e tillë në Ballkan, ata e dobësuan Serbinë duke ia hequr aneksimet që i kishte bërë përmes pushtimit dhe ia ndanë Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, por jo edhe Kosovën. Madje, Kosovën lanë nën Serbi, kurse trevat tjera shqiptare ia dhuruan Maqedonisë e Malit të Zi, që të krijonin balancime etnike kundrejt serbëve në këto dy republika. Kështu, kroato-sllovenët, në krye me Titon dhe Kardelin, shqiptarët i përdorën mish për top: duke i ndarë në katër njësi i dobësuan si komb kompakt dhe atsheun e tyre si territor homogjen.
Përkundër kësaj, komunistët e Kosovës si A.Vllasi e Fadil Hoxha, për shkak të bindjeve ideologjike, e kanë ruajtur dhe e kanë përhapur vazhdimisht një lloj admirimi ndaj Josip Broz Titos, jo vetëm në gjallje të tij, por edhe më pas.
A. Vllasi, në intervistën e tij në “Pikë” për Titon përdorë epitetin “mbret” dhe do të shtojë “ishte si ishte”. Nga S. Berisha paskësh mësuar se Tito ishte diktator porse “diktator liberal”. Fill pas kësaj, ai eskivon dhe nuk hyn fare për ta treguar rolin e tij, posaçërisht për qëndrimin ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi në ish-Jugosllavi.
Në të vërtetë, nga udhëheqësit komunistë të Kosovës prej Fadil Hoxhës e deri te A. Vllasi ishte krijuar dhe qe përhapur një opinion gjerësisht, se Titoja nuk ishte kundër shqiptarëve, dhe vetëm sa nuk thoshin se i donte shqiptarët. Unë do të thosha se po, ai i donte shqiptarët, shumë madje, por për çfarë i donte se!?
Ajo që nuk thuhej nga komunistët, jo vetëm asokohe po as tash, po që ishte e vërtetë është se brenda partisë së tyre (PKJ-LKJ) zhvillohej një luftë e ashpër për pushtet; ndonëse ideologjia ishte e njëjtë – komunizmi marksist-leninist, interesat nacionale ishin të ndryshme dhe lufta bëhej për dominancë. Kur Tito erdhi në krye të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ai arriti të menaxhonte interesat e ndryshme brenda partisë në tërë Jugosllavinë.
Si të gjitha partitë e tjera komuniste të asaj kohe, edhe PKJ e vetë Tito ishin në linjën staliniste, qoftë për shkak se ajo ishte ideologjia komuniste e asaj kohe e qoftë për shkak të të qenit anëtarë të Kominternit (Internacionalja Komuniste).
Por Stalini me sa duket nuk e kishte në sy të mirë Titon. Në prag të Konferencës së Dytë të AVNOJ-it (1943) në Jajcë, nga Stalini do të jetë sugjeruar që jo Tito po Ivan Ribar të vihej në krye të asaj konference. Këtu duhet ta ketë zanafillën një konflikt latent i Titos i cili do të thellohej e acarohej deri në shkëputjen e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjet dhe Stalinin në vitin 1948.
Le të kujtohet se Dimitrije Tucoviqi i kishte quajtur shqiptarët të pushtuar dhe fliste për çlirimin e tyre, një nga komunistët më vizionar serb i cili e kishte kuptuar thelbin se përmes shqiptarëve të pushtuar mbahej e pushtuar edhe vetë Serbia nga sundimtarët serb, prandaj liria për shqiptarët dukej të ishte konceptuar si çlirim i dyfishtë: sa për shqiptarët po aq edhe për vetë serbët.
Në këtë frymë, edhe në vitin 1937, në një Konferencë të PKJ në Slloveni, ishte plasuar ideja që shqiptarëve t’u njihej statusi i Republikës, ashtu që ata të ishin të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të kyçeshin në lëvizjen komuniste, e cila do t’u sillte lirinë.
Titoja ishte në dijeni të këtyre ideve e pikëpamjeve, pa më të voglin dyshim.
Po ashtu duke qenë udhëheqësi numër një i PKJ dhe njëherësh Komandanti Suprem i Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, ai ishte i mirinformuar, dhe, u mor vesh, për gjithçka ose kishte vendosur vetë ose kishte dhënë pëlqimin e tij; kjo, si për të gjithë popujt e tjerë,, edhe në raport ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Titoja jo vetëm që nuk i kishte përfillur idetë realiste (që i përmenda më sipër) për zgjidhje të njëmendtë të çështjes shqiptare (për bashkim me Shqipërinë) e as brenda Jugosllavisë me korrektësi, po ai kishte dhënë miratimin e tij qysh në vënien e themeleve të shtetit federativ në nëntor 1943 – prej së cilës, duke mos i ftuar e as duke mos i njoftuar, qenë përjashtuar shqiptarët e Kosovës e që ishte tregues se qasja ishte e padrejtë, e që do t’i përmbahej deri në fund qëndrimit se Kosova duhej të kishte vetëm statusin e krahinës, që domethënë se duhej të mbetej pjesë integrale e Republikës së Serbisë. Kjo tregon se ai nuk i donte shqiptarët si njësi republikane të Federatës, që i bie se ishte fuqishëm që Kosova të mbetej nën pushtimin serb.
Dhe, sikurse e thashë më sipër, nëse nuk ishte ideatori kryesor atëherë ai do të jetë pajtuar për copëtimin e trojeve shqiptare në katër njësi dhe të shpërndara në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi – Kosovën si krahinë plus Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, me çka e kishte fragmentarizuar substanca jonë kombëtare me qëllim pamundësinë e çlirimit të tërësisë shqiptare të përndarë në disa tri republika.
Pa më të voglin dyshim, Titoja ishte i mirinformuar edhe për terrorin që ushtrohej ndaj shqiptarëve, sidomos në Kosovë, fill pas Luftës Antifashiste, dhe kishte miratuar edhe vendosjen e “administratës ushtarake” si regjim terrori që të ripushtohej Kosova.
Titoja e dinte edhe për aksionin e armëve, në emër të cilit u terrorizuan masovikisht shqiptarët; e vërtetë se Aleksandër Rankoviçi, njeriu numër dy, pra me autoritet fill pas Titos, ishte urdhërdhënësi, porse me lejen e vetë Titos.
Madje, vetë Tito ishte takuar në Split me ministrin e jashtëm të Turqisë Fuad Kyprili, në vitin 1953, ku ishin marrë vesh që të vazhdonin shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, sipas elaborateve për serbizimin e Kosovës (ku para Luftës së Dytë Botërore ishin shpërngulur mbi 300 mijë shqiptarë, dhe po kaq me këtë marrëveshje të Titos).
Titoja e dinte edhe aksionin e terrorit të dimrit 1955-1956 ndaj shqiptarëve, që si prapaskenë kishte detyrimin e tyre që të shpërnguleshin për në Turqi. Mbase do të bëhej shpopullimi dhe ndërrimi radikal të strukturës etnike të Kosovës, sikur, ndër të tjera, në Turqi të mos ndodhnin përmbysje politike, që bënë të ndërpritej ky aksion gjenocidal.
I dinte Tito të gjitha këto, sepse atij në mënyrë ditore i jepeshin raporte nga sigurimi shtetëror jugosllav, policia dhe ushtria, gjyqësia e prokuroria, si dhe nga partia me të dhëna të sakta e sekrete për gjithçka. Kështu funksionon çdo pushtet.

“Epoka e re”: Atëherë, pse Tito, në asnjë moment, nuk u tregua i vendosur që të zgjidhte çështjen e Kosovës në kuptimin e statusit të Republikës?
Hajdin Abazi: Në fakt, Tito që nga fillimi ishte, dhe u tregua vazhdimisht, shumë i vendosur në çështjen shqiptare, por për ta futur atë në kalkulimet edhe antishqiptare e edhe antiserbomëdha, që t’i përdorte njërin-kundër tjetrit.
Tito e dinte se kishte zgjidhje me të drejta të çështjes kombëtare për shembull nga Bashkimi Sovjetik i asokohshëm, i cili rumunëve ne BRSS ju njohu statusin e Republikës Moldave; turkmenëve republiken e Turkmenistanit; gjermanëve ju njohur po ashtu të drejtën e Republikës socialiste. Te gjithë këta popuj ishin ne kufij me shtetet me përkatësi të njëjte kombëtare: Rumania, Turqia dhe Gjermania. Kishte pra modele shumë më të avancuara, por ai kishte synim jo zgjidhjet e qëndrueshme po strategji të rafinuara sidomos kundër shqiptarëve.
Pse Tito kishte këtë qëndrim antishqiptar ka disa shpjegime. Për mendimin tim, kryesori ishte se ai besonte që Jugosllavia do të ishte e përjetshme, si të gjitha shtetet e tjera, dhe ai kishte luajtur me fatin e shqiptarëve për të ekuilibruar interesat midis kroato-sllovenëve dhe serbomëdhenjve. Ai donte t’ia lente problemin me shqiptarët Serbisë, që ata të ishin të preokupuar me mbajtjen nën sundim të Kosovës e të shqiptarëve si “fuqi baroti” konstante; po ashtu, sipas nevojave, kroato-sllovenët t’i frenonin serbomëdhenjtë kundrejt mësymjeve federative duke apostrofuar problemin shqiptar.
Madje, mos definimi i statusit të shqiptarëve në kohën kur u vunë themelet e Jugosllavisë komuniste dhe u krijuan gjashtë republika, në fillim u përdor si monedhë për t’i mashtruar shqiptarët se kjo do të vendosej pas çlirimit, por që, realisht, fshiheshin politika gllabëruese kundrejt shqiptarëve si komb. Kjo u shpreh në manovrat titiste që ta gllabëronte Shqipërinë në Jugosllavi si Republika e shtatë. Por Enver Hoxha, sidoqfteë, nuk pranoi. Qëndrimi i Titos ndaj Kosovës ishte një hakmarrje edhe ndaj E. Hoxhës, dhe dështimi për ta gllabëruar Shqipërinë ia përforcoi qëndrimin antishqiptar.
Rrëzimi i Rankoviçit i shërbeu Titos në shumë aspekte: për ta ruajtur pushtetin e vet, imazhin si figurë komuniste por liberale, si dhe për t’i bërë reformat në forcimin e rregullimit federativ duke e decentralizuar pushtetin, në radhë të parë për t’i vënë pengesa shovinizmit serb me aspiratat për marrjen nga brenda të tërë Federatës jugosllave, e në të njëjtën kohë edhe për të krijuar imazhin e një vendi “demokratik” pro-perëndimor dhe për të fituar subvencione nga perëndimi.
Tito kishte lakmi të madhe për autoritet dhe gloria, por edhe kishte aftësi politike për të manovruar. Me t’u larguar Bashkimi Sobjetik nga linja staliniste, me ardhjen e Hrushqovit në krye të partisë dhe me ndeyshimin e kursit ideolofjik, e bë edhe një lloj braktisje e diktaturës staliniste dhe një hapje edhe ndaj perëndimit. Në këto rrerhana, Tito kuptoi se gjeopolitikat e të dyja blloqeve kishin nevojë për nje amortizues dhe ruajtje të status quo-së midis tyre, dhe atëherë (në vitin 1961) ai krijoi bllokun neutral, as-as, ose edhe-edhe, që u quajt Lëvizja e të Painkuadruarve (as në bllokun ushtarak të NATO e as në Traktatin e Varshavës). Me këtë, ai u bëri një shërbim të dyja palëve, mbajtjen e ngrirë të Luftës së Ftohtë dhe shuarjen e tensioneve midis tyre, duke shërbyer si balancues me të Painkuadruarit.
Përderisa Tito i kuptonte problemet globale dhe ofroi atë që ju duhej dhe që e mirëpritën të dyja blloqet e asokohshme, ai do të mund ta zgjidhte çështjen e Kosovës gjithsesi – natyrisht sikur njëmend të donte ta zgjidhte atë,
Por ai nuk donte.
Dhe këtë e tregoi kur ishte rasti ideal, me rrëzimin nga pushteti të serbomëdhenjve në krye me Rankoviçin: ai do të mund t’i jepte goditje plandosëse shovinizmit serbomadh, po edhe ta avanconte Kosovën në Republikë. Veçse , sikurse tregon A. Vllasi – atij ia kishin parashtruar si ide, ai e kishte refuzuar që në start, pa e lejuar të shkohej më tutje e të shtrohej në rend dite, e megjithatë të konsiderohej si çështje e konsumuar, kur aspak nuk ishte shqyrtuar.
Me këtë, Tito tregoi realisht se ai ishte dhe mbetej antishqiptar. Dhe çdo lëshim, çdo pajtim për shqiptarët dhe në gjithçka kundrejt tyre (si universiteti, njësimi i gjuhës, shkëmbimet kulturore etj.), ai ka pasur disa qëllimet njëherësh: të ruajë imazhin si një lider botëror (Lëvizja e të Painkuadruarve), t’i frikësojë serbomëdhenjtë dhe ta neutralizojë Shqipërinë.

“Epoka e re”: E përmende shkarazi më sipër se A. Vllasi duhej të dinte për persekutimin e shqiptarëve të Kosovës. Konkretisht, për çka e ke fjalën? Çka duhej ai të dinte e që nuk e kishte parasysh në shpjegimet e tij?
Hajdin Abazi: Ke të drejtë, se kalove në aspekte të tjera, sidomos te demitizimi i Titos dhe te portretizimi i tij politik, e pra kjo, persekutimet, ishin bazike për periudhën e mars-prillit 1981.
A thua njëmend Azem Vllasi nuk kishte njohuri për gjendjen e shqiptarëve para këtij viti? Athua se njëmend e besonte se gjithçka kishte zanafilluar në mars-prill të 1981-s? Edhe pse kjo nuk është aspak e besueshme, ai kështu lë të nënkuptohet. (Ndonëse, sikurse kam lexuar diku, njëri vëlla i tij punonte në sigurimin e shtetit jugosllave në komunën e Gjilanit, që domethënë se Azemi duhej të kishte dijeni më tepër se sa që pohon, përkatësisht për persekutimit e rinisë shqiptare).
Çka duhej të dinte Azem Vllasi asokohe e që nuk e thotë apo e anashkalon duke u shtirë toshë, thua se nuk kishte ditur asgjë?
Të jetë e vërtetë se ai dhe pushteti komunist nuk e dinin gjendjen reale të mijëra familjeve që regjimi i tyre, përmes sigurimit shtetëror jugosllave në Kosovë, që po u shkaktonin vuajtje, po maltretoheshin e po dënoheshin me burgim për motive të pastra kombëtare?
Kjo nuk është aspak e besueshme.
Lidhja komuniste e asaj kohe, si drejtuese faktike e pushtetit dhe e të gjitha mekanizmave dhe institucioneve të atëhershme të shtetit, e dinte fare mirë, sepse si pushtet do të kenë pasur informata interne – sidomos pasi që në rend dite thuaja gjithnjë ishte një pikë mbi situatën politike dhe të sigurisë në vend. Por le të supozohet se nuk u ishin distribuuar informacionet nga sigurimi i shtetit, atëherë mbase do t’i kenë lexuar gazetat ditore të Kosovës, do t’i kenë dëgjuar lajmet e Radio Televizionit të Prishtinës të cilat tregonin për arrestime dhe dënime shqiptarësh pa bërë veprimtari “armiqësore”! Më së pakut që duhej bërë do të ishte të interesohej se cilat ishin motivet e tyre, çfarë kërkonin dhe përse ishin arrestuar?
Apo mbase, lëvizja atdhetare ishte klasifikuar si armike, dhe nuk konsideroheshin si qytetarë, sepse nuk ishin në frekuenca mendimi me pushtetin komunist – dhe veç nuk kishte “kampe internimi” si në Shqipërinë e asaj kohe se atje do të duhej t’i katandisnin që të gjithë!?
Secili pushtetar i asaj kohe mund të përpiqet të eskivojë duke mos qenë i sinqert, por kjo nuk e ndryshon realitetin, atë që kishte ndodhur në tërë Kosovën.
Për të shpjeguar gjenezën e autonomisë, Vllasi kthehet pas deri në Plenumin IV të Brioenve të LKJ së vitit 1966, duke shkuar kështu te zhvillimet që sollën përmbysjen e A. Rankoviçit dhe shënuan kthesën decentraliste; kurse nuk shkon deri në rrënjë të problemit kombëtar të shqiptarëve, po lë përshtypjen se përmbysja e autonomisë nisi në pranverën e vitit 1981!
Aspak e vërtetë dhe tërësisht e njëanshme, dhe e shtrembëruar politikisht me motive ideologjike e mungesë sinqeriteti e reflektimi real.
E përmenda më sipër se kur një popull nuk është i persekutuar dhe i rrezikuar nga tjetërkush, nuk ka gatishmëri ta prish rehatinë e vet, dhe po të ishte kështu as shqiptarët nuk do ta bënin këtë – këta bile më pak se kushdo tjetër. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë…