
Toby Vogel nuk pret ndonjë marrëveshje në takimin e nesërm Kosovë-Serbi
Toby Vogel, bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i Këshillit për Politikën e Demokratizimit nga Berlini, nuk pret ndonjë marrëveshje konkrete në takimin e nesërm të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ai i ka thënë portalit “Kosovo Online” se më e mira që mund të pritet nga ai takim është që të dyja palët të angazhohen përsëri për parimet bazë të dialogut, të cilat janë vendosur në vitin 2011.
Vogel ka thënë se Uashingtoni mund të përpiqet të organizojë një takim përsëri para nëntorit, por se përpjekja e tyre për të sabotuar dialogun i ra përtokë, për këtë arsye sipas tij do të ishte e mençur të qëndrojnë plotësisht prapa dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE).
“Sigurisht, kjo do të nënkuptojë gjithashtu se Bashkimi Evropian më në fund e merr seriozisht detyrimin e tij, për shembull, siç është heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Vogel.
I pyetur se çfarë duhet t’i ofrojë BE-ja palëve që të bien dakord për një marrëveshje, Vogel ka thënë se retorika e Brukselit është se BE-ja ofron një perspektivë të prekshme të anëtarësimit për të dyja palët dhe se ky është nxitja kryesore për të arritur një marrëveshje, transmeton Klan Kosova.