Tofaj i reagon Shehut: Më 9 nëntor, mërgata dhe Juniku do të flasin me votë të lirë, jo me frikë

30 tetor 2025 | 22:32

Kandidati i LV-së për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, i cili tashmë ka lidhur koalicion me AAK-në për balotazh, i është përgjigjur një postimi të kandidatit për kryetar komune të LDK-së, Ruzhdi Shehu, i cili ka theksuar se më 9 nëntor fitorja e LDK-së do të jetë një ngjarje historike dhe spektakolare.

Tofaj ka thënë se kryetari në ikje, Ruzhdi Shehu po vazhdon t’i hedhë kungjat në të katër anët, me shpresën se ndonjë do t’i mbijë në terrenin e frikës dhe mashtrimit.

“Më 9 nëntor, mërgata dhe Juniku do të flasin me votë të lirë, jo me frikë, jo me presion, por me dinjitetin që e ka karakterizuar gjithmonë qytetarin e Junikut”, ka shkruar Tofaj.

Ai ka theksuar se Juniku do të flasë me votë, jo me kungja e numra të fryrë, sepse, sipas tij, Juniku e ka fjalën dhe fjala e Junikut nuk matet me propagandë, por me vullnetin e qytetarit të lirë.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur junikas,

I lexova me vëmendje radhët e gjata të reagimit të kryetarit në ikje, i cili po vazhdon t’i hedhë kungjat në të katër anët, me shpresën se ndonjë do t’i mbijë në terrenin e frikës dhe mashtrimit.
Por le t’i themi gjërat troç:

Tani po thotë se paska “koalicion me qytetarin”, ndërsa pak ditë më parë, dy netë para 12 tetorit, e shpalli me bujë koalicionin me PDK-në. Duket se në këtë raund të dytë, partnerët e natës janë harruar shpejt, ndoshta sepse nuk i konsideron më as si partnerë të denjë.

Të gjithë e kujtojmë se si u trumpetua “fitorja pa balotazh”, me parashikime për 700 vota nga diaspora. Por realiteti foli ndryshe: as 700 vota, as fitorja, as koalicioni i interesit momental nuk e shpëtuan.
Tani, papritur, paska “500 zarfa të sigurta” që qenkan nisur për LDK-në në ditën e parë që kanë arritur fletëvotimet në mërgatë. Ndoshta me dronë, se ndryshe as posta s’e mban këtë shpejtësi.

Të dashur bashkvendas, ajo që po ndodh këto ditë në mërgatë është e papranueshme.
Nga shumë drejtime po raportohen presione, shantazhe dhe tentativa për ndikim në votën e qytetarëve tanë jashtë vendit. Presioni ndaj mërgatës është si asnjëherë më parë, dhe përtej çdo norme demokratike.

Ne po mbledhim me përpikmëri çdo dëshmi e fakt për këto shkelje, dhe çdo veprim i tillë do të ndiqet penalisht, në mënyrë që askush të mos guxojë më të prekë votën e lirë të junikasve.

Me 9 nëntor, mërgata dhe Juniku do të flasin me votë të lirë, jo me frikë, jo me presion, por me dinjitetin që e ka karakterizuar gjithmonë qytetarin e Junikut.

Juniku do të flasë me votë, jo me kungja e numra të fryrë, sepse Juniku e ka fjalën dhe fjala e Junikut nuk matet me propagandë, por me vullnetin e qytetarit të lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, Aleanca…