Tokio, ekzekutohen 7 autorët e sulmit me gaz

06 korrik 2018 | 21:51

Janë ekzekutuar 7 autorët e sulmit terrorist me gaz sarin 23 vjet më parë në metronë e Tokios. Në këtë sulm kishin humbur jetën 13 persona. Dënimet me vdekje janë të rralla në Japoni.

Qeveria japoneze zbatoi të premten dënimin kapital ndaj 7 anëtarëve të grupit të kultit, përgjegjës për sulmin terrorist me gaz Sarin të vitit 1995, që u mori jetën 13 personave. Përveç atentatit terrorist në metronë e Tokios, grupi konsiderohet përgjegjës edhe për një sërë aktesh të tjera të rënda.

Pjesëtarët e tij aderojnë në një ideologji të përbërë nga besimi budist, ai hindu dhe teoritë apokaliptike. Pamjet e trupave të pajetë të shpërndarë në platformat e stacionit të metrosë së Tokios në Mars të ‘95-s tronditën opinionin publik në Japoni dhe mbarë botën. Ngjarja detyroi qeverinë e atëhershme të merrte masa sigurie të jashtëzakonshme, mes të cilave atë për vendosjen e koshëve të mbeturinave transparentë, që është në fuqi edhe në ditët e sotme. Duke njoftuar ekzekutimin e të akuzuarve, ministrja e Drejtësisë Joko Kamikaua deklaroi se aktet e këtyre personave kanë qenë tmerrësisht mizore.

“Krimet e këtyre njerëzve tronditën dhe trembën deri në palcë qytetarët japonezë dhe jo vetëm”, deklaroi ministrja.

Çizuo Matsumoto, kryetar i grupit të kultit, u ekzekutua i pari me varje dhe më pas bashkëpunëtorët e tij. Duke reaguar ndaj lajmit, familjarë të viktimave të sulmit u shprehën të çliruar. Ekzekutimet janë të rralla në Japoni, por sondazhet tregojnë se pjesa dërrmuese e qytetarëve e mbështesin dënimin kapital.

Ndërsa grupi për të drejtat civile Amnesty International ka deklaruar se drejtësia duhet vërtet të bëjë detyrën e saj, por edhe të respektojë të drejtat civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tash çdo qytetar i Kosovës do të mund ta di…