Tolaj për vizitën e Osmanit në Mitrovicë: Ajo vendosi interesin partiak politik, para atij shtetëror
Arbër S. Tolaj, kandidat i AAK-së për deputet me numër 5, ka reaguar në lidhje me vizitën e presidentes Vjosa Osmani në Mitrovicë, ku shkoi për t’ia uruar detyrën kryetarit të ri, Faton Pecit.
Ai ka thënë se vizita e presidentes, Vjosa Osmani, në Komunën e Mitrovicës, tek kryetari Faton Peci, dikur bashkëpartiak, fatkeqësisht nuk reflektoi në rolin e saj kushtetues që duhet ta ketë presidentja e Republikës.
“Ajo vendosi interesin partiak politik, para atij shtetëror, duke humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë që duhet të ketë presidenca. Politizimi i skajshëm, krijoi përshtypjen e rreshtimit të hapur politik. Kjo nuk i shërben as Mitrovicës, as qytetarëve, e as vetë institucionit të Presidencës. Veçanërisht, shqetësuese ishte afërsia dhe mesazhi politik që u përcoll në linjë me partinë Guxo, të cilën Presidentja e ka themeluar bashkë me kryetarin e komunës. Kjo e vë në pikëpyetje paanshmërinë institucionale që pritet nga posti më i lartë përfaqësues i shtetit. Presidentja duhet të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, jo zëdhënëse politike dhe as pjesë e kalkulimeve partiake, t’i shërbejë interesit të përgjithshëm, e jo atij partiak”, ka shkruar Tolaj në “Facebook”.



