“Tonë natën po rri çut veç me i la teshat”- 64 vjeçarja nga Podujeva në hall me mungesën e ujit!
Çdo mëngjes kur hap sytë e i kujtohen punët e shtëpisë, Rrahime Durmishin e kaplon një brengë e madhe.
Kjo për shkak se sapo zgjohet, ajo sheh se nuk ka ujë e nuk di nga t’ia mbajë.
64-vjeçarja nga Podujeva për KIKS-in thotë se madje edhe kafen e mëngjesit nuk mund të e pijë siç duhet.
Gjendja në të cilën jetojnë që dy vjet, Rrahimja thotë se po ia kujton kohën para 40 vjetësh kur kishte ardhë nuse e ujin e nxirrnin nga pusi.
Për KIKS Kosovën, 64-vjeçarja tha se problemin me ujë që kanë tani sipas saj nuk e kishin pasur as në luftë.
Derisa flet për vështirësitë për kryerjen e punëve të shtëpisë, Rrahimja thotë se ka net që rri gjithë natën pa gjumë vetëm që të lajë rrobat në lavatriqe.
Ajo bashkë me nusen e saj, thotë se ka shumë kohë që edhe enët po i lajnë me duar sepse asnjëherë nuk kanë ujë për të vënë në funksion makinën larëse të enëve.
Nervozizmi që ndjen çdo ditë për faktin se nuk ka ujë, 64-vjeçarja thotë se po i shkakton edhe zënka me bashkëshortin.
E gëzim më të madh për të, thotë se nuk ka se sa kur merr lajmin që uji ka ardhë e ia fillon që të kryejë punët e saj me lehtësi.



