
Topalli përjashton bashkëpunimin me Bashën, Metën dhe Ramën
Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në emisionin “Top Talk” në drejtimin e gazetarit Denis Dyrnjaja, ka folur për partinë e saj “Lëvizja për Ndryshim” dhe për zhvillimet politike në Shqipëri.
Topalli është përgjigjur shumë e prerë nëse do të kishte bashkim votash me ndonjë nga partitë e vendit.
Ajo tha se s’do të ndodhë asnjë koalicion me Ilir Metën, Edi Ramën apo Lulzim Bashën.
“Lëvizja për Ndryshim është kundër tre kryetarëve të korruptuar, Ilir Metës, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Heshtja e shumë njerëzve po përkthehet me votë. Ata kanë një vetëdije politike dhe dinë të mendojnë për familjen e njerëzit. Gjatë kësaj periudhë ka një fenomen, politika e mbylljes, e mos hapjes apo e përçarjes, por ne duhet ta ndryshojmë këtë”, ka thënë Topalli.
Ajo është shprehur e indinjuar nga Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, duke theksuar se ky i fundit tradhtoi në radhë të parë anëtarët e partisë dhe më pas edhe vendin tij.
Ish numri dy i PD-së tha e prerë se për sa kohë Basha do jetë në opozitë, kryeministri Edi Rama do të jetë në krye të vendit.
Topalli ka thënë se “Lëvizja për Ndryshim” do të sjellë shpresën në Shqipëri, dhe sipas saj, synimi kryesor i kësaj lëvizje është rrëzimi i tri figurave kryesore prej shumë vitesh në politikën shqiptare.