
Torturoi shqiptarët e burgosur gjatë luftës, burg e gjobë për ish-gardiani
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 7 vjet burgim ish gardianin e burgut të Lipjanit e Prishtinës, Dragisha Milenkoviq për krime lufte në Kosovë. Ai u dënua edhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Në fillim të vitit të kaluar, i kishte mohuar akuzat që i viheshin në barrë nga Prokuroria Speciale.
Por trupi Gjykues, u bind se Dragisha Milenkovisq, ishte fajtor për krime lufte e armëmbajtje pa leje.
Dhe për këtë atij i shqiptoi dënim prej 7 vjet burgim akuzën e parë, e për të dytën një gjobë prej 1 mijë e 500 eurosh.
“I akuzuari Dragisha Milenkoviq është fajtor sepse ka kryer veprën penale në bashkëkryerje krime lufte, kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22, të ligjit penal të Jugosllavisë ligj që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale..”, ka thënë Kujtim Krasniqi- Kryetar i trupit gjykues.
Ky vendim siç duket nuk i pëlqeu Milenkoviqit, meqë u pa i tensionuar duke u larguar nga salla, ndërsa avokati i tij, paralajmëroi se t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.
“Ne në asnjë moment nuk dyshojmë që në proceset në vijim, pra në ankesën të cilën do ta parashtrojmë në Gjykatën e Apelit këtu në Prishtinë, do t’ia dalim të dëshmojmë në pafajësinë e Dragishës. Sepse ky njeri vërtet nuk është fajtor për atë që është dënuar sot.”, ka thënë Dejan Vasiq- Avokat i Dragisha Millenkoviq.
Prezent në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte prokurori i rastit, Atdhe Dema.
Sipas aktakuzës së Prokuroisë Speciale i pandehuri në cilësinë e ish-gardianit të Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve, në mënyrë sistematike kishte keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë.
Këtë e kishin bërë duke torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, duke i rrahur deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike.