Totaj emëron drejtor të Shërbimeve Publike Islam Ukajn, ndërsa drejtoreshë të Arsimit Luljeta Veselaj-Gutaj
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka emëruar sot dy drejtorë të rinj të dikastereve komunale, në kuadër të fillimit të ciklit të emërimeve për ekzekutivin lokal të mandatit të tij të dytë.
Asamblisti më i votuar në zgjedhjet lokale të tetorit, Islam Ukaj, i cili më herët ka ushtruar detyrën e drejtorit të Inspektoratit për një mandat katërvjeçar, është emëruar drejtor i Shërbimeve Publike. Ndërkaq, Luljeta Veselaj-Gutaj është riemëruar në pozitën e drejtoreshës së Arsimit dhe Shkencës, detyrë të cilën e kishte ushtruar edhe më parë.
Emërimet janë konfirmuar nga kryetari Totaj përmes një njoftimi publik, ku ai ka bërë të ditur se procesi i kompletimit të qeverisjes lokale ka nisur me kabinetin e tij dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me emërime të tjera.
“Sot nisëm ciklin e emërimeve për qeverisjen lokale, duke filluar me kabinetin tim, me të cilin do të vazhdoj punën edhe në këtë mandat, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi. Po ashtu, janë emëruar edhe dy drejtorë: Drejtor i Shërbimeve Publike është emëruar Islam Ukaj, ndërsa Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës, Luljeta Veselaj-Gutaj. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me kompletimin e ekzekutivit përmes emërimeve të tjera”, ka shkruar Totaj.
Ai ka theksuar se edhe gjatë mandatit të dytë, qeverisja lokale do të vazhdojë me përkushtim ndaj interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve të Prizrenit.




