Totaj: Qeveria ta shqyrtojë me përgjegjësi ofertën amerikane për gazin

09 qershor 2026 | 22:53

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se oferta amerikane për gazin duhet të trajtohet si një çështje me rëndësi strategjike për Kosovën dhe jo si temë e debateve të përditshme politike.

Ai ka thënë se Kosova është ndërtuar mbi aleanca të mëdha dhe mbi vendime strategjike që kanë parë përtej një mandati qeverisës. Për këtë arsye, sipas tij, çështja e gazit amerikan nuk duhet të trajtohet si debat partiak, por si interes afatgjatë i shtetit.

“Në një kohë kur kërkesa për energji po rritet, kur qindra miliona euro po dalin nga buxheti ynë për importe dhe kur siguria energjetike është shndërruar në çështje të sigurisë kombëtare, refuzimi i një mundësie për t’u lidhur me projektet energjetike të Shteteve të Bashkuara meriton rishqyrtim serioz. Askush nuk kërkon që Kosova të heqë dorë nga energjia e ripërtëritshme apo nga zhvillimi i kapaciteteve të veta. Përkundrazi, një shtet i mençur nuk ndërton të ardhmen mbi një alternativë të vetme, por mbi diversifikim, partneritete të forta dhe siguri afatgjatë”, ka shkruar Totaj.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që ta shqyrtojë me përgjegjësi dhe pa pargjykime ofertën amerikane për gazin.

“Jo për hir të një qeverie apo një partie, por për hir të qytetarëve tanë, ekonomisë sonë dhe të ardhmes së vendit. Miqësia me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës sonë. Ajo duhet të jetë edhe busull për vendimet strategjike që përcaktojnë të ardhmen e Kosovës. Kur një derë e rëndësishme hapet nga aleati ynë më i madh, urtësia shtetërore kërkon që së paku ta shqyrtojmë me seriozitet para se ta mbyllim”, ka shtuar Totaj. /Lajmi.net/

Postimi i plotë:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse nuk ka trup, nuk ka viktimë, por policia dyshon…