
Trafford edhe zyrtarisht rikthehet te City
James Trafford është gati të rikthehet te Manchester City, klubi ku është rritur si futbollist. Portieri aktual i Burnleyt po kryen sot vizitat mjekësore përpara zyrtarizimit të transferimit te skuadra e Pep Guardiolës, në një marrëveshje me vlerë 27 milionë paundë.
Fillimisht, marrëveshja me Burnleyn parashikonte një çmim më të lartë, por falë një klauzole riblerjeje të përfshirë nga City në momentin e shitjes së tij, shuma përfundimtare është ulur ndjeshëm.
Trafford do të firmosë një kontratë pesëvjeçare, me mundësi zgjatjeje për edhe një sezon tjetër. Ai do të konkurrojë me Ederson për vendin e titullarit mes shtyllave, të paktën deri në një shitje të mundshme të brazilianit, e cila po bëhet gjithnjë e më e mundshme.
E ardhmja e portierit të dytë aktual, Stefan Ortega, është gjithashtu e pasigurt. Portieri gjerman pritet të largohet këtë verë, edhe pse ende nuk ka negociata të avancuara për transferimin e tij. Burnley është ndër klubet që kanë shfaqur interes për shërbimet e tij.
Te Manchester City e konsiderojnë këtë operacion si një shembull të suksesshëm të një strategjie “buy-back”, duke vënë theksin te rëndësia e klauzolave të zgjuara në shitjet e talenteve nga akademia.