
Trafiku i armëve nga Kosova në Shqipëri, gjykata e Kukësit lë në burg dy të arrestuarit
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes dhe vendosi këtë të hënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki.
Të dy u arrestuan nga Policia e Kukësit të premten, më 4 korrik, në zonën e njohur si “Ura e Hasit”, nën akuzën për trafik armësh nga Kosova në Shqipëri.
Sipas hetimeve paraprake, Qenaj dhe Mallaki, banues në Prizren, trafikonin armë përmes kufirit jeshil me qëllim shitjen e tyre në territorin shqiptar.
Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, efektivët e policisë zbuluan dhe sekuestruan 8 armë zjarri të fshehura në bagazhin e makinës, secila e vendosur në çanta të veçanta, raporton Topchannel.
Dyshohet se armët ishin destinuar për dy persona të tjerë, të cilët arritën të largohen sapo vunë re shërbimet e policisë. Këta të fundit janë ende në kërkim nga Policia e Kukësit.
Ky nuk është rasti i parë i goditjes së grupeve kriminale që merren me trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri. Më 30 maj, pas një hetimi pesëmujorsh, policia arrestoi 10 persona të përfshirë në të njëjtin aktivitet kriminal.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e ka cilësuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si një model suksesi në rajon, veçanërisht në drejtim të goditjes së grupeve që trafikojnë armë zjarri. Në lidhje me rastin e fundit në Kukës, ai shprehu mirënjohje për strukturat vendore të policisë si dhe për qytetarët, të cilët, sipas tij, po tregojnë gjithnjë e më shumë besim te Policia e Shtetit.