Trafiku i organeve njerëzore nëpër shpella, a mund të jetë e vërtetë? (6)

14 korrik 2020 | 12:37

Shkruan: Kudusi Lama

Tani flitet shumë për transplantimin e organeve njerëzore. Më parë kisha menduar se kjo praktikë në trupin e njeriut është shumë e vështirë dhe bëhet në raste të veçanta e me shumë analiza. Dhe realisht kështu mendoj edhe aktualisht, se nuk është e lehtë të bësh transplantimin e organeve njerëzore.
Por ja që kur po lexojmë politikisht, po duket se gjithçka është e lehtë. Një ditë po bisedonim me një grup intelektualësh dhe njëri prej tyre po thotë se një ministër kishte vjedhur mbi 200 milionë euro.
– Janë shumë – i thashë.
– Ia kanë parë në çantën e dorës në aeroport duke ikur për jashtë shtetit, – ishte përgjigjja e tij.
– Më vjen keq që nuk e di se paraja është letër dhe letra bëhet prej druri, – ia ktheva unë.
– E di, e di – u përgjigj ai.
– Nëse e di, duhet të dish edhe se druri ka peshë dhe volum. E 200 milionë euro, po të ishin vetëm 500-she, kanë një masë prej një metër kub. Kurse nëse janë 100-she e 50-she, do të duhet të ngarkohen kamionë të tonazhit të rëndë, e ato nuk mund të futen në një çantë dore siç pretendoni ju – e sqarova.
– Ndoshta keni të drejtë – e uli zërin bashkëbiseduesi.
E solla këtë shembull për të arsyetuar se vijnë momente kur edhe njerëz të shkolluar bien në kurthin e thashethemeve dhe flasin pa llogari e bëhen pre e injorimit. Dhe jam i bindur se sot shumëkush është nën atë kurth.
Kështu është edhe kjo puna e trafikimit të organeve njerëzore nëpër male e duke i siguruar ato duke prerë njerëz nëpër shpella, siç pretendon i quajturi Dick Marty, në raportin e tij, i cili ka marrë përgjegjësinë të mos jetë vetëm jurist, siç pretendon se është, por të jetë edhe shkencëtar i mjekësisë, nga më të fuqishmit, që të argumentojë se njerëzve mund t’u hiqen organet nëpër male e të futen nëpër xhepa, e kur të ketë nevojë dikush, mund t’i shiten nëse do të mund të merren vesh në pazar. Akuza që diktoi ngritjen e një gjykate ndërkombëtare e që po tenton ta njollos historinë e një populli të tërë.
Por realisht këto janë për të qeshur. Ama, në kushtet tona, kur po merren shumë seriozisht dhe po na akuzohen djemtë e luftës, me tendencë për ta quajtur gjithë UÇK-në një organizatë kriminale, është vërtet për të qarë.
Ndonjëherë në të ardhmen e largët mund vijë një kohë, që me një eshtër të vdekuri të ndërtohet plotësisht njeriu, ndoshta edhe me mendimet, dijet dhe njohuritë që ka pasur kur ka jetuar, pse jo edhe para dhjetë mijë vjetësh. Por sot jemi në kushte e kohë të tjera.
Unë kam lexuar se: “Shumë njerëz të cilëve iu nevojitet një transplantim veshke iu duhet të kalojnë vite të tëra me dializë në pritje që një organ i përshtatshëm të vihet në disponim për ta”.
Si ka mundësi, që është kaq e lehtë në lapsin e Dick Martyt, për të formuluar akuza? Si është e mundur që në institucionet evropiane të ngrihen organe ndërkombëtare për të bërë “drejtësi” me një “shkencë” të tillë? Kjo duket absurde. Kur të tjerët thonë se ka shumë vështirësi për t’u realizuar një proces i tillë transplantimi, na del se është aq e thjeshtë, sa mund të kryhet edhe nga një njeri i çfarëdoshëm, ani pse nuk është as mjek e as punonjës i shërbimit shëndetësor. Çdo njeri mund të zërë një njeri tjetër që e mund në rrugë, ta ulë poshtë, ta hapë në gjoks, t’i marrë zemrën ose veshkat apo ndoshta edhe organe të tjera, dhe të largohet. Duhet të ruhen njerëzit kur të shikojnë në rrugë ndonjë njeri që është më i fuqishëm se ata, pasi përbën rrezik për t’i grabitur organet jetësore. U bë kjo punë, si puna e hajdutëve të xhepave në autobusët urbanë në Tiranë në vitet ’90. Ndoshta ndonjë ditë do të dëgjojmë se një i tillë i ka marrë veshkën apo zemrën ndonjë qytetari duke lëvizur nga Kombinati në Kinostudio me autobusin urban.
Mua realisht më lind një pyetje: Trafiku i organeve njerëzore, a mund të jetë i vërtetë? Dhe me duket se në kushtet e UÇK-së kjo praktikë nuk mund të jetë e vërtetë. Dhe jam i bindur se në atë kohë as që i kishte shkuar në mendje ndonjë luftëtari se mund të ekzistonte ndonjë praktikë e tillë.
Unë e kuptoj se ai që ka përvojë për krime, kujtohet për gjithçka. Dhe shikoj se kudo ku janë masive krimet serbe, po lindin edhe krime shqiptare. Pra, po transmetohet si përvojë. Por, jo si përvojë për t’i përsëritur krimet, por për të krijuar alibi krimesh, që të rregullohen interesat e serbëve.
Serbia është përkujdesur me kohë që krimet t’ia adresojë UÇK-së dhe të krijojë terren të përshtatshëm për ta kriminalizuar atë. Por askush nuk e ka menduar se mund të arrijë deri tek e pamundura.
Praktikisht dhe shkencërisht konsiderohet e pamundur që të merren organe jetësore njeriu nëpër pyje.
Politikisht po, qenka e mundur, prej kur Karla Del Ponte dhe Dick Marty morën përsipër të jenë liderë të shkencës mjekësore megjithëse janë juristë.
Ne i njohim shpifjet serbe dhe, siç themi ne shqiptarët, për serbët “pjell edhe mushka”, por që të pjellë mushka në Zvicër, këtë nuk e kisha menduar kurrë, pasi gjithnjë kam menduar se atje peshohet me kujdes edhe puna, edhe fjala. Por, ja që fjala doli se u shprehka edhe për interesa banale personale, duke vënë në lëvizje një Evropë të tërë.
Sidoqoftë, ne duhet të sqarojmë në radhë të parë veten tonë, se në kushtet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, askush nuk ka pasur mundësi dhe as njohje për të bërë monstruozitete të tilla, jo më t’i ketë kryer.
Në radhë të parë se një aktivitet i tillë ishte i pamundur, pasi UÇK-ja ishte nën vëzhgim të të gjithë organizatave të inteligjencës së shteteve të botës dhe të gjitha mediave botërore.
Së dyti, se ajo ishte duke vepruar në Kosovën e pushtuar dhe në Shqipëri, që ishte një shtet i cili nuk kishte marrë përsipër asnjë obligim për ta ndihmuar UÇK-në dhe luftën e saj, përkundrazi në gjithë rrugëkalimet ishin ngritur postblloqe policie, të cilët inspektoheshin, përveç prej shtetit, edhe prej ekipeve të dendura të OSBE-së.
Së treti, në atë kohë ishte problem për të gjetur një mjek apo punonjës të shërbimit shëndetësor, për t’i lidhur plagët e luftëtarëve e jo më për të krijuar mundësi për marrje organesh njerëzore.
Së katërti, ishte problem, të merreshim me krijimin e kushteve për të mbajtur robër serb, në një kohë, kur nuk kishte mundësi për të siguruar kushte minimale për luftëtarët që përballeshin me serbët.
Së pesti, në përgjithësi, siç duket, nga listat e të humburve serbë që kam parë, në media, internet etj., duket se janë të gjithë ata që pretendohet se janë marrë për transplantime organesh jetike njerëzore, të cilët kanë qenë efektiva ose të policisë, ose të ushtrisë ose të paramilitarëve serbë. Mua më tërheq vëmendjen ky fakt, pasi kur paskan pasur mundësi për të bërë një veprimtari të tillë kriminale, këta “kriminelët” e UÇK-së, pse paskan zgjedhur të tillët, por nuk kanë marrë mbarë, gra, vajza, fëmijë, të rinj e të reja, qytetarë të zakonshëm, por paskan përzgjedhur pikërisht ata që kanë qenë të armatosur dhe kanë luftuar kundër tyre? Shumë e shëmtuar si shpifje. Logjika më e thjeshtë njerëzore qesh me këto. Por ja që luftëtarët e UÇK-së po i merr një nga një në gjykim, duke u kërkuar se si janë kryer veprime të tilla dhe po tentohet të ngrihen edhe alibi dëshmish, duke bërë përpjekje të gjenden hapësira thjesht që të shpifet kundër luftëtarëve.
Së gjashti, nuk kuptoj si ka mundësi që mediat e instaluara në Kukës në atë kohë nuk arritën të shikojnë qoftë edhe një episod të vogël të këtyre dukurive, kur paskan qenë kaq gjëra të mëdha. Por dolën disa të tjerë që nuk e dinë fare Kukësin, nuk e dinë fare as Burrelin e as Fushë-Krujën dhe na bënë zbulime të jashtëzakonshme e arritën të gjejnë kriminelët që paskan organizuar një luftë vetëm për përfitime personale, ani pse ata në atë kohë nuk dinin gjë për këto çështje?
Sot nuk është vështirë të kriminalizohet dikush, sepse shkenca, si në të gjitha drejtimet, ka arritur mjaft edhe në drejtimin e manipulimit të fakteve. Por që të manipulohet një luftë dhe një plejadë luftëtarësh, vetëm pse prishën interesat e Serbisë me luftën e tyre, këtë nuk duhet ta lejojmë kurrë, pavarësisht se është bërë pjesë e kësaj loje të ndyrë edhe një pjesë e politikës evropiane, duke u mbështetur në shpifjet e paguara të eksponentëve të Serbisë që kanë depërtuar në gjirin e saj.
Por, mbi të gjitha, nëse do të konsultojmë literaturë të mirëfilltë të mjekësisë mbi transplantimet e organeve jetike njerëzore, do të shohim se si marrësi i organit ashtu edhe dhuruesi duhet t’u nënshtrohen disa parimeve që kërkojnë zbatim korrekt të gjitha kërkesave për vlerësimin e riskut, që fillojnë me njohjen e mirë të marrësit dhe dhuruesit në jetën e tyre shëndetësore, duke vlerësuar se sa ata kanë qenë të shëndetshëm në jetën e tyre, sa u janë nënshtruar mjekimeve, si e kanë gjendjen e forcës së kockave e të muskujve, si janë ushqyer, çfarë infeksionesh kanë kaluar etj. Po kështu, vlerësohen edhe masat për parandalimin e infeksioneve, përgatitjen e rrugëve të lidhjeve etj. Cilësia e organeve, lidhjet e grupeve të gjakut dhe indeve etj. Dhe për të gjitha këto e mjaft probleme të tjera që shoqërojnë këtë proces, kërkojnë laboratorë shumë të specializuar (sidomos ato, të cilët përcaktojnë pajtueshmërinë indore).
Për të marrë njohuri për këto çështje praktikisht, rekomandoj që të konsultohen:
1. Heart Disease 6 th EDITION, (Sëmundjet e zemrës, botimi i gjashtë), botim i vitit 2001. Në ShBA – anglisht.
2. NEPHROLOGIE (Nefrologjia), me autor Gabriel Richet, botim i vitit 1989 në janar, në Paris, Francë – frëngjisht. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë në Kuvendin e…