Tragjedi në Gjakovë: Humb jetën 68-vjeçari, përplas me motoçikletë në shtyllë betoni
Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në fshatin Raqe të Gjakovës, ku një person ka humbur jetën në vendngjarje, mëson Sinjali. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 14:20, në aksin rrugor Moglic–Dol. Viktima, Pashk Radi, rreth 68-vjeçar, po drejtonte një motoçikletë të tipit “Sum Orbit”, pa targa, kur në një segment me kthesa nuk ka arritur ta përshtatë shpejtësinë me kushtet e rrugës. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur fuqishëm në një shtyllë elektrike betoni në krahun e majtë të rrugës.
Nga plagët e rënda të marra, Radi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Gjakovë, i cili ka dalë në vendin e aksidentit. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për procedura të mëtejshme. Rasti është iniciuar si vetë-aksident trafiku me fatalitet dhe hetimet janë në vazhdim.



