
TRAGJIKOMEDIA NË TRE AKTE!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Kosova, që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është në fazën e hibernacionit (po mbijeton duke i hëngër rezervat, si ariu polar). Tash, me një pozitë bllokuese, antishtet dhe antikombëtare thuaja është në koma apo vdekje klinike. Opozita, e lodhur dhe aspak bashkëpunuese vetëm sa po e përshpejton shembjen e shtetit. Me një presidente që më shumë bredhë rrugëve të botës se që është në Kosovë, të shndërruar në zhagmbajtëse të deputetit Kurthi që, sikur dikur Cezari në Romë i ka uzurpuar të gjitha postet, është e pamundur të shpresojmë se do ta shohim një dritë në fund të tunelit e lëre më të jetojmë me dinjitet, qoftë edhe minimal. Tash, mbi supet tona të dërrmuara e kemi edhe një, deri te vendimi i GJK-së, mendermethënë kryetar Kuvendi. Budallai nuk paraqet rrezik nëse e luan rolin e të mençurit, deri në çastin kur beson se vërtetë është i mençur, disi si Dimal Basha që e shpalli Kuvendin si të formuar ndonëse ishte në Kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Do të ishte qesharake po të mos ishte e shëmtuar takimi i tij me “homologë”, në cilësinë e kryetarit, ndonëse Kuvendi nuk ishte themeluar në pajtim me ligjin, Rregulloren, praktikat e deritashme dhe Kushtetutën. Si një antiUÇK i certifikuar me një “studim shkencorë” ky i pafytyrë mori guximin të shkojë (ilegalisht) te Varret e Dëshmorëve në Prekaz, te Varri i Abetares dhe Kuptimit të Luftës për Liri – te Bacë Adem Demaçi dhe te ish-presidenti Ibrahim Rugova. Për një atdhetar, ish të burgosur politik dhe luftëtarë të UÇK-së nuk mund të ketë fyerje më të madhe se kjo vizitë poshtëruese dhe blasfemike. Unë kam përgëzuar ata që e votuan vetëm për faktin se u çbllokua procesi dhe nuk kam pasur dijeni për “studimin shkencor” kundër UÇK-së nga i cili po përpiqet të distancohet (pasi u zgjodh kryetar i Kuvendit), si djalli nga temjani apo kryqi. Tash, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, për ata që punojnë dhe besojnë në shtet ligjor rruga drejtë formimit të Kuvendit të Kosovës është e qartë, duhet të votohet propozimi i grupit më të madh parlamentar i serbëve të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit. Kështu është dashur të veprohet që në seancën e parë konstituive. Kështu është vepruar në të gjitha legjislaturat e mëparshme. Në vitin 2021 ishte votuar Sllavko Simiqi për nënkryetar edhe me votat e LVV-së dhe askush nuk e cilësuar këtë votim si tradhti. As sot nuk duhet të përdoret ky cilësim, nga askush dhe ndaj askujt. Sot është i njëjti kandidat, i njëjtit subjekt politik vetëm se është 5 vjet më i moshuar. Madje, nëse kemi parasysh bashkëpunimin e LVV-së me LS-ja e përmes sekseres mercenare, Mimoza Kusari, gjatë mandatit të fundit për çështje shumë të ndjeshme kombëtare dhe politike, LVV-ja është dashur që me aklamacion ta votojë Sllavko Simiqin. Sikur edhe “presidentja e rrugëve të botës” që, me votat bujare të LS-së u bë presidente. Lufta kundër LS-së është e shpikur dhe e shpifur, është sajesë që keqpërdoret në luftë për pushtet, nuk ka lidhje me patriotizëm. Më thoni çfarë patriotësh qenkan Hekuran Murati, Xhelal Sfeqla, Cen Bageri, Dejona Mihalidis, Dimal Basha, Elbert Krasniqi, i biri i Ali Milicit dhe të tjerë që vetëm me këtë “patriotizëm” kanë ulur prapanicat në karrige e që, në rrethana normale nuk do të ndodhte asnjëherë. Më thoni se çka ka folur më keq dhe më zi për luftën dhe UÇK – në Sllavko Simiqi, se që e kanë bërë Hekuran Murati, Donika Shvarc, Nëna Mihalidis dhe Dimal Basha, midis shumë të tillëve të LVV-së!
Është momenti i fundit që anija thuaja e fundosur në injorancën dhe patriotizmin e rremë, e quajtur Kosovë të nxirret nga bataku i rërës së gjallë ku e kanë futur arrivistët karrieristë, jopunëtorët dhe njerëzit e këqinjë! Nëse e duan vendin, ligjin dhe rregullin duhet ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë, pa dallim, pozitë dhe opozitë! Aktualisht pozitës i duhet anarkia dhe shthurja e shtetit, opozitës jo. Nëse pozita nuk është e gatshme ta zbatojë këtë vendim, opozita duhet ta zbatojë 100 për qind, edhe nëse humbë pak vota. Në planin afatgjatë askujt nuk i duhen votat jokushtetuese, votat e mbështetura në patriotizëm folklorik dhe armiq të sajuar, të brendshëm dhe të jashtëm. Nëse opozita i nënshtrohet një pozite shkatërruese e që nuk ka bërë asgjë për lirinë dhe shtetin e Kosovës le të shkrihet në LVV, si mendermethënë “Lista Guxo”. Pa themelim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të reja të përgjithshme, Gjykata Kushtetuese nuk ka autoritet dhe mandat ligjor ta bëjë këtë, në asnjë rrethanë, pa themelimin e Kuvendit.
- Lasgush Poradeci dhe Albin Kurthi: Lasgush Poradeci ishte, besoj njëri ndër intelektualët më të zotë dhe më të kompletuar shqiptar i të gjitha kohërave. Gjithashtu, ishte një patriot i bindur dhe i vendosur për bashkim kombëtar. Asnjëherë nuk ngrinte dolli pa thënë: “mos qoftë kjo gota e fundit pa u bashkuar me Kosovën ..”. Ishte disident i bindur kundër diktaturës komuniste në Shqipëri prandaj jetoi në varfëri të madhe dhe i përbuzur deri në masën sa që e konsideronin të çmendur. Megjithatë, duke e çmuar aftësinë e tij si shkrimtar, autoritetet partiake të regjimit kërkuan nga ai të shkruajë një artikull afirmativ për një kooperativë bujqësore. Pasi u mbështet për muri e dërgoi shkrimin për të cilin partia reagoi ashpër duke i thënë se: “nuk na dërgove shkrim por m.t na dërgove..”.
Përgjigja e gjeniut Lasgush Poradeci ishte se “m.t kërkuat, m.t ju dërgova..”.
Albin Kurthi nuk është intelektual e as patriot i kalibrit të Lasgush Poradeci. Në opozitë ishte për bashkim kombëtar, tash thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon këtë ndonëse askush si ai nuk e ka dhunuar dhe shkërdhyer Kushtetutën. Me kërkesën e Hristijan Mickovskit, në mënyrë kriminale ndërhyri te faktori politik i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut për ta eliminuar nga skena politike krahun e luftës çlirimtare dhe Ali Ahmetin, sikur që bëri edhe në Kosovë. Fillimisht u angazhua personalisht, në Shkup dhe Prishtinë pastaj e përdorte Liburn Aliun. Tash, pasi Luburni u eutanazua (vdekje e asistuar) nga LVV-ja, për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoni të Veriut, si ndihmë dhe pykë, Kurthi e dërgoi, pas akademikut Agim Bahtiri, mbase intelektualin më të zgjuar dhe më të fuqishëm që e ka sot LVV-ja, Hysen Durmishin, i njohur me emrin artistik si Cen Bageri. Fjalimi i tij ishte ndihmë e jashtëzakonshme kundër unitetit shqiptar në Maqedoni, për llaskucët që flasin shqip e mendojnë turqisht që po kontribuojnë shumë për realizimin e “Botës Serbe” të Hristijan Mickovskit dhe nënkryetarit serb nga Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë së Veriut, ndryshe familjar i ngushtë i Millan Radojiçiqit që botërisht ka kërkuar çnjohje e Kosovës nga Maqedonia. Ditë më parë, partizani i madh i LVV-së dhe Albin Kurthit, Abdylhaqim – Kim Mehmeti, kërkoi nga dishepulli i tij t’i kthejë “shqiptarët” e Hristijan Mickovskit në “rrugë të Zotit” pasi vet Kurthi i paska futur në këto paudhë kombëtare. Si përgjigje Kurthi ua dërgojë Hysen Durmishin – Cen Bagerin që, katërcipërisht e vërteton se: “historia e vërtetë, nëse përsëritet si e shtrembëruar – sajuar, përfundon si farsë..” Sikur historia e shkrimit të Lasgush Poradecit për kooperativat bujqësore në Shqipëri. Nëse kërkoni m.t, m.t do të keni, nëse kërkoni Hysen Durmish, të njëjtin do ta keni!
- Beretat e Kuqe: Qeveria e Malit të Zi i dorëzoi një Notë Proteste Ambasadës së Kosovës në Podgoricë shkaku se, sipas tyre paska pasur të shtëna me armë zjarri nga Kosova në kufirin midis dy shteteve. Fatmirësisht ky incident serioz u heshtë dhe nuk ka ndonjë informatë zyrtare, as për shkaqet e as për pasojat. Mirëpo, dashakeqësit dhe llafet e qarshisë thonë se ky nuk ka qenë rast i izoluar por i paramenduar dhe planifikuar mirë. Pasi dështuan përpjekjet e përditshme politike të LVV-së e që instrument e përdorë pushtetin aktual, për kthimin e mbi 8000 km të territorit që përmes Demarkacionit, padrejtësisht i janë dhënë Malit të Zi, Nëna e Madhe e LVV-së ka propozuar që këto territore të kthehen forcërisht. Për këtë aksion me emër të koduar “Pordha e Madhe” i ka kombinuar të gjitha gjinitë e forcave të armatosura në me krye komandanten e Përgjithshme, brigadieren e Kurthit, Vojsa Osmani. Forcat e rregullta ushtarake u janë besuar luftëtarëve të shquar të luftës së fundit, Lal Cullës dhe Cen Bagerit. Dashakëqinjtë për ta thonë se kanë qenë dezertorë të ndyrë prandaj mrekullisht përshtaten në “strategjinë ushtarake” të zonjës Mihalidis, e para e së radhës së Beretave të Kuqe dhe Faqes së Zezë. Njësitë paramilitare i janë besuar Hekuran Muratit, këtij rrenci dhe urryesi të luftës çlirimtare. Oficer për moral kundër UÇK-së, në mënyrë aklamative është emëruar Dimal Basha. Përgjegjës për operacione speciale në tokë e sidomos në ujë, me bazë në lumin Moraça është caktuar admirali i flotës detare, Agim Bahtiri. E ka dëshmuar këtë në luftë me Goran Rakiqin në lumin Ibër. Për harta topografike është caktuar Shpejtim Bulliqi, e njeh terrenin që duhet rikthyer në malet e Çakorrit të Koresë së Veriut. Ky është vetëm fillimi, pas Çakorrit vjen Manastiri i Deçanit, deri te Molla e Kuqe ku “pordhaxhinjtë” e bashkimit kombëtarë do hanë dardha kak-içke.
Kur shpërfillet Seneka: Seneka e kishte një thënie që shpërfillet nga budallenjtë e respektohet nga të urtët se: “kur të shkoni për të marrë hak, hapni dy varre…”. Përkthyer në shqip: “kur të shkoni për të rikthyer territoret, në emër të bashkimit të rremë kombëtar, do ta fitoni Marrëveshjen e Brukselit me aneksin e Ohrit..”. O Albin “Baba”. Edhe ne që jemi për Barcelonën e shpërfillëm Senekën, shkuam me marrë hak kundër PSG-së, u ndamë me miza bythëve. Shpresojmë në më të mirën, megjithatë!