
Trajneret japoneze pjesë e stërvitjes së xhudos në Pejë
Në kuadër të bashkëpunimeve të vazhdueshme ndërkombëtare në xhudo, këto ditë Peja është bërë qendra e takimit të xhudisteve dhe trajnereve elitarë.
Trajneret e mirënjohura japoneze Misato Nakamura dhe Nami Nabekura po zhvillojnë stërvitje intensive me ekipin e Kosovës në xhudo, nën koordinimin e kryemjeshtrit Driton Kuka, trajnerit Fatos Tabaku dhe kampiones Olimpike, Nora Gjakova.
“Ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve tona për të sjellë përvojat më të mira botërore në shtëpinë e xhudos kosovare. Përveç trajnerëve nga Japonia, jemi të lumtur të mirëpresim edhe xhudiste nga Suedia dhe Shqipëria, të cilat kanë shprehur dëshirë të stërviten në Pejë dhe të ndajnë tatamin me xhudistet tona. Xhudo është më shumë se sport, është disiplinë, një kulturë dhe një urë që na lidh me botën”, thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos së Kosovës.