Trajneri i Anglisë: Gjermanët të fortë, por i mundim
Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, nuk beson te kriza e Gjermanisë, edhe pse këta të fundit vuajtën shumë ndaj Hungarisë për t’u kualifikuar për më tej.
“Kam lexuar shumë komente negative kundër tyre dhe mund të them që asgjë nuk është e vërtetë. Unë shoh një skuadër të mirë organizuar taktikisht. Ata e dinë se çfarë po bëjnë dhe kur luajnë të bashkuar janë një forcë e vërtetë, ndaj pres një ndeshje shumë të vështirë ndaj tyre, – tha trajneri anglez që shton. – Të mos harrojmë që ata luanin në një grup të vështirë me dy skuadra shumë të forta si Portugalia dhe Franca.
Gjermanët janë ekspertë në ndeshjet me eliminim dhe kjo nuk është një sekret, por kjo nuk duhet të na trembë aspak”. Në lidhe me skuadrën e tij, Sauthgejt u shpreh se skuadra e tij e ka përgatitur në mënyrën më të mirë këtë ndeshje: “E rëndësishme është të jesh i qetë para një ndeshjeje të tillë.
Skuadra e njeh forcën e saj dhe e di çfarë duhet të bëjë nesër (sot). Luajmë përballë tifozëve tanë të cilët do të jenë një ndihmë e madhe për ne.
Do ta shfrytëzojmë këtë faktor për të shtyrë përpara dhe për të mundur kundërshtarin”. Trajneri i “Luanëve” e njeh mirë Gjermaninë dhe për një arsye, faktin që ka luajtur kundër tyre në gjysmëfinalen e Europianit në vitin 1996: “Ishte një ndeshje e pabesueshme. Të luaje në sfida të tilla ishte një privilegj.
Kam kujtime të bukura, lojtarë të mirë dhe tifozëri e çmendur. Ishim pretendentë dhe mendoj edhe tani se mund të shkonim shumë larg. Ndaj Gjermanisë bëmë një ndeshje më të mirë, por për fatin e keq u eliminuam me penallti, diçka që askush nuk e donte të ndodhte”.
FAVORITËT
Për trajnerin anglezë sfida e sotme do të vendoset nga detaje të vogla që në fund do të rezultojnë të rëndësishme. “Mendoj që për sa i përket cilësisë së lojtarëve jemi të barabartë, edhe pse ata dhe ne jemi të ndryshëm në karakteristika. Gjermanët janë të fortë psikologjikisht dhe fizikisht. Ne gjithashtu jemi mirë fizikisht.
Në ndeshje të tilla është e rëndësishme të mos humbasësh përqendrimin gjatë gjithë 90 minutave. Kjo është ajo që u kam kërkuar djemve këto ditë. Gjithashtu duhet të jemi cinikë në rastin e parë që do të na paraqitet”, përfundoi Sauthgejt.



