Trajneri i Hajdukut: Raçi është i talentuar dhe ka shumë energji

18 gusht 2025 | 14:03

Qendërmbrojtësi 22-vjeçar, Ron Raçi, ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë në fitoren e thellë të Hajdukut të Splitit ndaj Slaven Belupos (3-0), në kuadër të javës së tretë të elitës së futbollit kroat.

Kjo ndeshje ishte e veçantë për Raçin, pasi për herë të parë u aktivizua nga minuta e parë te skuadra kroate, duke treguar menjëherë potencialin e tij. Trajneri i Hajdukut, Gonzalo Garcia, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e reprezentuesit të Kosovës, duke vlerësuar energjinë dhe talentin e tij, por njëkohësisht theksoi se Raçit i duhet ende kohë dhe punë për të përmirësuar disa detaje në lojën e tij.

“Ai ishte i mirë. Është i talentuar dhe ka shumë energji. Ende duhet të mësojë dhe të kuptojë kërkesat tona, por besoj se së shpejti do të shihni një mbrojtës shumë të mirë. Në disa momente bëri gabime, por menjëherë në aksionin tjetër i korrigjoi. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Garcia, sipas “index.hr”.

Raçi iu bashkua Hajdukut muajin e kaluar, duke u transferuar nga Prishtina për 300 mijë euro, një investim i konsiderueshëm nga klubi kroat për të forcuar mbrojtjen. Megjithatë, skuadra e tij pati një tronditje të vogël të enjten e kaluar, kur u eliminua nga Dinamo City i Tiranës në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës, një sfidë që do t’i shërbejë Hajdukut si mësim për sfidat e ardhshme. Për Raçin, ky fillim në Kroaci është vetëm hapi i parë drejt afirmimit në një nga kampionatet më të forta të rajonit, dhe tifozët presin që talenti kosovar të shkëlqejë edhe më shumë në muajt që vijnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fushatë masive fyerjesh ndaj ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn…