Trajneri i Senegalit kërkon falje: Nuk duhej t’ju thosha lojtarëve të dilnin nga fusha
Pas finales dramatike të Kupës së Afrikës mes Senegalit dhe Marokut, e cila përfundoi 1-0 në kohën shtesë dhe u shoqërua me polemika të ashpra, selektori i Senegalit, Pape Thiaw, e ka pranuar se bëri një gabim në reagimin e tij gjatë ndeshjes.
Momenti i tensionuar erdhi pas një vendimi arbitrar për të akorduar një penallti për Marokun në minutat e fundit të lojës — një vendim që vuri në dyshim vazhdimin e lojës, derisa pak çaste më parë Senegalit iu anulua një gol që dukej i rregullt.
Për protestë, Thiaw i urdhëroi lojtarët e tij ta lënë fushën dhe të dalin në dhomat e zhveshjes, duke e pezulluar ndeshjen për rreth dhjetë minuta.
Megjithatë, nën drejtimin e kapitenit Sadio Mané, lojtarët u kthyen në fushë dhe loja vazhdoi.
Penalltia u ekzekutua nga Brahim Díaz, por goditja u shpëtua nga portieri senegalez Édouard Mendy.
Në vazhdim, Senegali e fitoi ndeshjen falë një goli në kohën shtesë nga Pape Gueye.
Në intervistën pas ndeshjes me beIN Sports, Thiaw pranoi se ai kishte reaguar në “nxehtësinë e momentit” dhe kishte qenë një vendim i gabuar:
“Nuk më pëlqeu aspak t’ju thosha lojtarëve të mi të dilnin nga fusha. Ky ishte një gabim. I kërkoj falje botës së futbollit. Pas reflektimit, i detyrova lojtarët të ktheheshin në fushë. Ne i kontestojmë gabimet e referëve — ndodhin — por ne nuk duhej ta bënim atë veprim.”
Reagimi i trajnerit erdhi pas kritikave të forta, përfshirë edhe nga ana e trajnerit të Marokut, Walid Regragui, i cili e quajti situatën “të turpshme për imazhin e futbollit afrikan”.
Megjithëse Senegali gjithsesi doli kampion, episodi i largimit nga fusha pritet të jetë objekt shqyrtimi dhe mund të sjellë masa disiplinore ndaj ekipit ose stafit.



