Trajnim për të rinjtë dhe nënpunësit civil për ta luftuar korrupsionin në nivel lokal

24 dhjetor 2021 | 12:58

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me organizatën NOPM (Network of Peace Movement), kanë mbajtur trajnimin me temë “Forcimi i Integritetit të të rinjve dhe nënpunësve civil për ta luftuar korrupsionin në nivel lokal”.

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kamenicë, Liridon Kastrati, drejtoresha ekzekutive e Organizatës NOPM, Besime Tusha, eksperti i Prokurimit Publik, Sahit Beqiri, zyrtarë komunalë si dhe qytetarë.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se korrupsioni është një nga fushat në të cilën duhet punuar më së shumti.

“Kur e mendojmë shtetin, e mendojmë zyrtarin publik që na i ofron shërbimet. Nëse zyrtari publik është vetëm për përfitime personale, atëherë është humbje e madhe për institucionin. Ne si qeverisje duhet ta luftojmë këtë dukuri që na shkakton humbje, andaj duhet të punojmë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës NOPM, Besime Tusha, duke falënderuar Kryetarin Rahimaj për prezencën e tij, theksoi se ky forum ka për qëllim të trajtoj korrupsionin politik si një ndër fenomenet më negative në shoqëri.

“Qëllimi kryesor i këtij forumi publik është trajtimi i korrupsionit politik si një ndër fenomenet më negative në shoqëri, roli dhe mundësimi i sinjalizimit të shkeljeve në sektorin publik dhe privat, dhe mbrojtja e sinjalizuesve. Gjithashtu, qëllim tjetër është edhe diskutimi mbi mënyrat e lobimit apo avokimit si një rrugë efikase për të luftuar korrupsionin në shoqëri”, ka thënë ajo.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kamenicë, Liridon Kastrati, tha se këto iniciativa me tema të tilla janë të mirëseardhur për të gjithë punëtorët komunal.

“Temat e tilla janë tejet të rëndësishme për institucionet, andaj kjo iniciativë është tejet e mirëseardhur për të gjithë punëtorët që janë aktiv në të gjitha sferat e komunës. Për të gjitha temat e këtij lloji që i keni do ta keni mbështetjen e Kuvendit Komunal”, tha ai.

Kurse Eksperti i Prokurimit Publik, Sahit Beqiri, ka bërë prezantimin lidhur me këtë temë, duke treguar për fenomenin e korrupsionit, si dhe disa nga shkaqet që pse ky fenomen është i pranishëm në institucionet publike. “Korrupsioni si fenomen është shumë i dëmshëm për shoqërinë. Kjo vjen për faktin se individ apo grupe të ndryshme, interesat personale i lënë mbi interesat e përgjithshme”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka bërë me…