Trajnimi për mentorim mes kolegëve (student – student) fuqizon kulturën bashkëpunuese akademike

22 shkurt 2026 | 12:01

Në kuadër të angazhimeve strategjike për avancimin e cilësisë së përvojës studentore dhe zhvillimin e kompetencave bashkëkohore akademike, në Universitetin e Prishtinës u organizua Trajnimi për Mentorim mes Kolegëve (student–student), një aktivitet i rëndësishëm që synon fuqizimin e rolit aktiv të studentëve në mbështetjen e ndërsjellë akademike dhe personale brenda komunitetit universitar.

Trajnimi u mbajt më 20 shkurt 2026, në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, konkretisht në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze (Klasa 86), me pjesëmarrjen e studentëve të nominuar nga njësitë akademike përkatëse që shquhen për angazhim akademik, aftësi komunikimi dhe potencial lidershipi.

Ky aktivitet është konceptuar si një platformë zhvillimore që integron qasje bashkëkohore të mentorimit studentor, duke ndërtuar aftësi praktike në komunikim efektiv, dëgjim aktiv, reflektim profesional dhe aplikim të standardeve etike në mentorim. Me anë të këtij programi synohet krijimi i një kulture institucionale bashkëpunuese, ku studentët mbështesin njëri-tjetrin në procesin e adaptimit akademik dhe zhvillimit profesional.

Trajnimi u realizua nëpërmjet një agjende të strukturuar në katër module tematike:
Moduli 1: Parimet dhe konteksti i mentorimit mes kolegëve
Moduli 2: Zhvillimi i kompetencave themelore të mentorimit (dëgjimi aktiv dhe formulimi i pyetjeve)
Moduli 3: Praktika e mentorimit në situata reale
Moduli 4: Reflektimi dhe praktikat etike e profesionale në mentorim

Programi përfshiu aktivitete interaktive, simulime praktike dhe reflektime profesionale, duke krijuar një hapësirë dinamike për zhvillimin e kompetencave të mentorimit studentor.

Trajnimi u realizua nga prof. dr. Blerta Mustafa dhe prof. ass. Zinaide Gruda, dy personalitete të spikatura në fushën e arsimit të lartë, me përvojë të gjerë akademike dhe ekspertizë ndërkombëtare në zhvillimin e kompetencave pedagogjike dhe institucionale.

Në hapjen e aktivitetit, fjalë përshëndetëse mbajti prof. dr. Majlinda Gjelaj, prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, e cila theksoi rëndësinë e mentorimit si një instrument modern për përmirësimin e përvojës akademike.

“Mentorimi mes studentëve është një mekanizëm i rëndësishëm për ndërtimin e një kulture akademike gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse. Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar në krijimin e hapësirave zhvillimore që fuqizojnë lidershipin studentor dhe bashkëpunimin ndërmjet kolegëve,” tha prorektorja Gjelaj.

Ajo shprehu falënderim të veçantë për menaxhmentet e njësive akademike që kanë nominuar studentë me potencial të lartë për të kontribuuar në iniciativa progresive brenda universitetit.

Në fjalën e saj, trajnerja prof. dr. Blerta Mustafa, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, theksoi dimensionin praktik të mentorimit: “Mentorimi mes kolegëve është një proces transformues që ndërton kompetenca komunikimi, empatie dhe reflektimi profesional. Studentët mentorë janë bartës të rëndësishëm të kulturës akademike dhe të zhvillimit institucional,”shpjegoi profesoresha Mustafa.

Ndërkaq, prof. ass. Zinaide Gruda theksoi rëndësinë e mentorimit si një instrument fuqizues për komunitetin universitar: “Mentorimi mes kolegëve përfaqëson një qasje bashkëkohore që e vendos studentin në qendër të procesit të zhvillimit akademik. Përmes mbështetjes reciproke, komunikimit të hapur dhe reflektimit profesional, ndërtojmë një kulturë bashkëpunuese ku studentët jo vetëm përfitojnë, por edhe kontribuojnë aktivisht në forcimin e komunitetit universitar,” tha prof. ass. Gruda.

Trajnimi u vlerësua lart nga studentët pjesëmarrës, të cilët e konsideruan këtë iniciativë një mundësi konkrete për zhvillim personal dhe akademik.

Jon Gashi, student në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Historisë (BA, viti III), tregoi se çfarë planifikon të bëjë pas këtij trajnimi. “Procesi i aplikimit dhe pjesëmarrja në trajnim më ndihmuan të kuptoj më qartë rolin e mentorit si një udhëheqës bashkëpunues. Synoj të organizoj sesione informuese për studentët e rinj lidhur me menaxhimin e studimeve dhe orientimin akademik,” tha ai.

Yllka Kllokoqi, studente në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Historisë (MA, viti II), vlerësoi se trajnimi e arriti plotësisht synimin e përcaktuar.

“Trajnimi ofroi mjete konkrete për komunikim efektiv dhe mbështetje akademike. Planifikoj të inicioj takime periodike mentorimi për studentët e nivelit bachelor, me fokus në zhvillimin e shkathtësive kërkimore,” tha studentja Kllokoqi.

Olta Hasanaj, studente në Fakultetin e Arkitekturës, Departamenti i Urbanizmit (MA, viti II), theksoi dimensionin praktik të programit.

“Ky trajnim më ndihmoi të kuptoj rëndësinë e mentorimit në zhvillimin profesional. Synoj të organizoj punëtori bashkëpunuese për studentët e arkitekturës, ku do të kombinohen përvojat akademike me praktikat creative,” tha ajo.

Trajnimi për Mentorim mes Kolegëve përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të praktikave bashkëkohore të mbështetjes studentore në Universitetin e Prishtinës. Me anë të angazhimit vullnetar të studentëve mentorë dhe mbështetjes së strukturave akademike, pritet që kjo iniciativë të kontribuojë në: rritjen e cilësisë së përvojës studentore; përmirësimin e integrimit akademik të studentëve të rinj; zhvillimin e kompetencave të lidershipit studentor; forcimin e kulturës së bashkëpunimit dhe solidaritetit akademik.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për promovimin e programeve që fuqizojnë studentët si partnerë aktivë në zhvillimin institucional dhe në avancimin e standardeve të arsimit të lartë.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit realizuan reflektim të përbashkët dhe vlerësim të procesit të trajnimit, duke konfirmuar rëndësinë e vazhdimit të iniciativave të tilla në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm akademik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova promovon vizionin për ekonomi digjitale dhe inteligjencë artificiale, por…