Transformimet gjeopolitike pas skadimit të Lozanës dhe implikimet për Ballkanin Perëndimor
Shkruan: Hisen Berisha
(Rikonfigurimi global i sigurisë, pozita dhe roli i Kosovës në arkitekturën e re gjeopolitike)
Diskursi politik që u shfaq pas vitit 2023 mbi “skadimin” e Marrëveshjes së Lozanës, (1923), pavarësisht se traktati nuk ka klauzolë skadimi dhe juridikisht mbetet në fuqi, ka prodhuar një efekt të ri gjeopolitik dhe psikologjik në të gjithë hapësirën nga Egjeu e Bosfori, deri në Ballkan, Detin e Zi dhe korridoret euro-atlantike. Në vetvete, ky pretendim nuk krijon pasoja në të drejtën ndërkombëtare, por krijon një hapësirë për riartikulime gjeopolitike që tashmë ndihen në raportet e Turqisë me Greqinë, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe vendet e Ballkanit. Në këtë kontekst, çdo tentativë për t’i ikur kufizimeve të Lozanës shihet si instrument që fuqizon ambicien e Turqisë për të luajtur rol më të madh ushtarak, diplomatik dhe ekonomik në një rajon që ndodhet në prag të ri-shpërndarjes së fuqive.
Kjo qasje shihet më së shumti në politikën e brendshme turke, ku grupet neo-osmaniste e përdorin retorikën përtej-Lozanë, për të kërkuar rritjen e autonomisë strategjike të Turqisë brenda NATO-s dhe Evropës, zgjerimin e pranisë ushtarake në Mesdhe, ridimensionimin e ndikimit në Egje dhe një rikthim të rolit që i caktojnë vetes si faktor i pakontestueshëm rajonal.
Edhe pse këto pretendime nuk kanë bazë ligjore, ato shndërrohen në mjete presioni që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat e sigurisë, në ekuilibrat ushtarakë dhe në llogaritjet strategjike të shteteve anëtare të BE-së.
Ndikimet ekonomike janë po aq të rëndësishme. Fakti se korridoret energjetike të BE-së mbështeten në boshtin Deti i Zi – Bosfor – Mesdheu Lindor – Itali, e kthen Bosforin në pikën më kritike të zinxhirit energjetik europian. Çdo retorikë që sugjeron ndryshim statusi territorial ose sovraniteti krijon pasiguri të menjëhershme në tregjet e energjisë, në projektet si EastMed dhe në planifikimin e investimeve në Egjeun lindor. Greqia dhe Qiproja e lexojnë këtë realitet si kërcënim, ndërsa BE gjendet e ndarë mes nevojës për të ruajtur raportet ekonomike me Turqinë dhe detyrimit për të mbrojtur dy shtetet anëtare. Paralelisht, Turqia shfrytëzon këtë pasiguri për të rritur rolin e saj si hallkë e pazëvendësueshme e zinxhirit të furnizimit evropian, duke fituar hapësirë negociuese përtej ekonomisë.
Në planin e sigurisë, pretendimi përtej-Lozanë, merr dimension edhe më të ndërlikuar për shkak të luftës në Ukrainë.
Bosfori, i rregulluar nga Konventa e Montreux, (1936), është kthyer në arterien kryesore të balancimit të forcave midis NATO-s dhe Rusisë.
Turqia ka përdorur këtë rol për të rritur peshën e saj strategjike, duke balancuar interesat e Moskës dhe Perëndimit, ndërsa paralelisht rrit kërkesat ndaj Greqisë në Egje.
Rusia përfiton nga çdo tension greko-turk, sepse një NATO e përçarë i hap hapësira më të mëdha depërtimi në Detin e Zi, Mesdhe dhe Lindjen e Mesme. Për Moskën, fragmentimi i unitetit euro-atlantik është po aq i rëndësishëm sa fitoret në frontin ushtarak.
Ballkani, si gjithmonë, mbetet zona më e ndjeshme në këtë lojë shkallëzuese. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja janë vende ku çdo lëvizje e Turqisë dhe Rusisë prodhon efekt të menjëhershëm në ekuilibrat politikë, në ekonominë energjetike, në strukturat e inteligjencës dhe në orientimin e politikave të sigurisë. Rritja e ndikimit turk, e kombinuar me depërtimin rus përmes Serbisë, proxy apo Irani i Ballkanit për Rusin, krijon një realitet të ri strategjik në të cilin BE-ja dhe SHBA-të detyrohen të ndërhyjnë më shpesh dhe me më shumë mjete.
Nga ana tjetër, pretendimi se Lozana ka hyrë në fazë kapërcimi nuk mbetet pa efekt në arkitekturën e integrimeve evropiane. Bashkimi Evropian përballet me dilema të reja, se si ta mbajë Turqinë brenda orbitës perëndimore; si t’i sigurojë Greqisë dhe Qipros garanci të pakontestuara; si ta menaxhojë krizën e Ukrainës, pa u bërë i varur nga vullneti i Ankarasë për kontrollin e ngushticave.
Këto dilema e shtyjnë BE-në t’i japë Turqisë rol më të madh në migracion, në tregti, në energji dhe në proceset e zgjerimit, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria dhe Kosova gjenden në mes të këtyre zhvillimeve. Detyrimi i tyre strategjik është të ruajnë balancën mes interesave të BE-së, SHBA-së, Greqisë dhe Turqisë, duke mos lejuar që retorika neo-osmane apo ndikimet ruse t’i përdorin si pasqyra gjeopolitike të lojërave më të mëdha.
Në këtë kontekst, sfida kryesore mbetet ruajtja e orientimit euro-atlantik dhe shmangia e çdo ndikimi që mund të deformojë proceset e brendshme politike dhe të sigurisë.
Në Mesdhe e më gjerë, pasojat janë të dukshme, ku spikasin, rritja e tensioneve Turqi–Greqi, forcimi i aleancave të reja të sigurisë që anashkalojnë Turqinë, shtimi i pranisë ushtarake italiane e franceze në Egjeun lindor dhe domosdoshmëria që NATO të rishikojë rolin e Turqisë në operacionet detare euro-atlantike. Çdo devijim i Ankarasë nga linja perëndimore rrit koston e sigurisë kolektive të Aleancës.
E gjithë kjo tregon se pretendimi “përtej-Lozanë”, edhe pse jo efektiv juridikisht, është shndërruar në instrument politik që rishkruan ekuilibrat e sigurisë, të ekonomisë dhe të diplomacisë në hapësirën që lidh Ballkanin, Mesdheun dhe Atlantikun.
Ai rrit tensionet rajonale, amplifikon rolin e Turqisë, i jep Rusisë mundësi të reja depërtimi dhe vendos BE-në përballë sfidave të reja strategjike.
Për vendet e Ballkanit, ky zhvillim është një kujtesë e fuqishme se rajoni mbetet zonë e ekspozuar, ku çdo ndryshim në raportet Turqi, Greqi, Rusi, BE pasqyrohet menjëherë në skenën politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Në këtë realitet të ri gjeopolitik, që shtrihet nga Bosfori te Porta e Adriatikut, vendet e Ballkanit, e sidomos Shqipëria dhe Kosova, duhet të ruajnë qartësinë strategjike dhe të konsolidojnë aleancat euro-atlantike, sepse tensionet përreth marrëveshjes së Lozanës nuk janë vetëm pjesë e historisë së kaluar, por instrument i fuqishëm i politikës së sotme dhe determinant i arkitekturës së sigurisë së së nesërmes.
Në këtë panoramë të re gjeopolitike të krijuar pas skadimit të dispozitave kyçe të Marrëveshjes së Lozanës në vitin 2023, një pyetje e domosdoshme është se ku pozicionohen shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosova, brenda arkitekturës së re të ndikimit dhe rivalitetit ndërkombëtar.
Ndryshimi i balancave historike në rajonin e Egjeut, hapja e një kapitulli të ri në fuqizimin e Turqisë, dhe përshpejtimi i konkurrencës Rusi, SHBA, BE në Adriatik e Mesdhe, e ripërcaktojnë mënyrën se si funksionon Ballkani si korridor i interesave strategjike.
Në këtë kuadër, vendet e rajonit, e sidomos Kosova, nuk janë më thjesht territore periferike, por nyje të domosdoshme në menaxhimin e rrjeteve të energjisë, korridoreve të komunikimit, sigurisë kibernetike, si dhe pranisë ushtarake të aleatëve perëndimorë.
Për Kosovën, kjo situatë nuk është vetëm mundësi; është edhe provë.
Rritja e rolit të Turqisë si fuqi detare dhe ushtarake, forcat e reja që po shfaqen në Detin e Zi dhe në Lindjen e Mesme, si dhe dualiteti i interesave mes BE-së dhe SHBA-ve për menaxhimin e rajonit, e vendosin Kosovën në pikën më të ndjeshme të tre dekadave të fundit.
Nëse Turqia kërkon zgjerimin e ndikimit të saj politik dhe ekonomik në Ballkan përmes mekanizmave të butë e të ashpër të fuqisë, Rusia synon ruajtjen e ndikimit destabilizues përmes Serbisë, si proxy apo Irani i Ballkanit për Rusin, ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të krijojë një kornizë të re kontrolli në kuadër të procesit të zgjerimit.
Prandaj, një Ballkan i paqëndrueshëm i shkon për shtati vetëm Moskës, ndërsa një Ballkan euroatlantik dhe i sigurt është në interes vital të SHBA-ve dhe partnerëve të saj.
Publikimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA të nëntorit 2025 e ka bërë këtë qasje edhe më të qartë. Dokumenti e përmend qartë Ballkanin Perëndimor si zonë të interesit të drejtpërdrejtë strategjik amerikan, duke e trajtuar Kosovën si pikë kyçe për stabilitetin, parandalimin e ndikimit rus dhe ruajtjen e korridoreve energjetike e ushtarake që lidhin Mesdheun, Adriatikun dhe Detin e Zi.
Shtetet e Bashkuara theksojnë rëndësinë e zgjerimit të NATO-s në rajon, forcimin e partneriteteve bilaterale të sigurisë dhe rritjen e kapaciteteve të shteteve që përballen me presion hibrid, kibernetik dhe politik nga aktorët revizionistë.
Në këtë kuptim, Kosova shihet jo vetëm si vend që duhet mbrojtur, por si partner që duhet shndërruar në kapacitet aktiv të arkitekturës së sigurisë euroatlantike.
Kjo strategji e re i jep Kosovës një peshë të re politike dhe ushtarake, pra, rolin e një shteti-barrierë kundër depërtimit të ndikimit rus nëpërmjet Bosnjës dhe Serbisë, rolin e një partneri të domosdoshëm të Amerikës në projeksionet e fuqisë në Mesdhe, dhe rolin e një nyje alternative për korridoret e reja energjetike që shmangin varësinë nga Rusia dhe rrisin sigurinë evropiane. Nëse BE heziton, SHBA ëshzë e vendosur qartë se nuk do të tërhiqet nga rajoni.
Megjithatë, sfida e vërtetë nuk është vetëm gjeostrategjike por është politike.
Ballkani Perëndimor, me përjashtime të pjesshme, mbetet i brishtë, i rrezikuar nga korrupsioni, ndikimi klero-nacionalist, rrjetet kriminale dhe dobësitë institucionale.
Pikërisht këto janë terrenet që shfrytëzohen nga Rusia, nga aktorë të lidhur me shërbimet sekrete serbe si dhe nga thyerjet brenda vetë BE-së.
Pa një rezistencë të qartë politike dhe institucionale, as Kosova dhe as vendet e tjera të rajonit nuk do të mund ta shfrytëzojnë këtë moment strategjik. Përkundrazi, mund të kthehen në pika të dobëta, pjesë e qarkut të krizës.
Në këtë realitet, Kosova duhet të ripozicionohet, si me diplomaci aktive, me aleancë të pathyeshme me SHBA-të, me qartësi integruese në BE dhe me qëndrueshmëri në raport me presionet e jashtme dhe lojërat e brendshme politike.
Nuk mjafton thjesht të jesh në anën e duhur të historisë, por duhet ta marrësh rolin e aktorit që e ndërton atë.
Skadimi i Lozanës, përplasjet turko-greke, rishkurtimet e kufijve të influencës, rivalitetet energjetike dhe doktrina e re amerikane tregojnë qartë se pesha e rajonit po rritet.
Pyetja nuk është nëse Kosova do të preket, por se në çfarë cilësie do të jetë pjesë e transformimeve globale që po zhvillohen. Të gjitha këto faktorë tregojnë se Kosova nuk mund të ecë në autopilot, por, duhet të përqafojë një doktrinë të qartë pozicionimi strategjik.
Nëse Kosova ndërton një politikë të jashtme dhe të sigurisë të orientuar drejt partneritetit të padiskutueshëm me SHBA-të, drejt integrimit të përshpejtuar në BE dhe NATO, drejtë rezistencës së brendshme ndaj destabilizimit hibrid, ajo jo vetëm e mbron veten, por fiton rol të ri brenda hartës së sigurisë evropiane. Ky është momenti kur shtetet që e kuptojnë lojën, fitojnë peshë, kurse ato që presin duke shpresuar, humbin terren.
Të gjitha sa u thanë e mbetën në proces, së bashku tregojnë se faza e re e politikës ndërkombëtare nuk do t’i anashkalojë vendet e vogla. Ato ose bëhen aktorë të domosdoshëm, ose kthehen në zona të pasigurta që të tjerët i administrojnë sipas interesit.
Për Kosovën, kjo është ora e përcaktimit. Duhet të zgjedhë rolin e saj, dhe ta luajë me pjekuri strategjike. Sepse pyetja sot nuk është më nëse Kosova do të ndikohet nga këto transformime globale, por, pyetja është me çfarë peshe, me çfarë roli dhe me çfarë vizioni do të hyjë brenda tyre.



