Trazirat antiturke në Mal të Zi – hakmarrje e Vuçiqit ndaj Turqisë për dronët e Kosovës?

30 tetor 2025 | 20:26

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka mohuar të mërkurën se qëndronte pas incidenteve që kishin në shënjestër emigrantët turq në Mal të Zi dhe shtoi se “nuk kishte idenë se kjo po ndodhte”.

Duke iu përgjigjur akuzave nga Podgorica se Mali i Zi po hakmerret ndaj Turqisë për shkak se Ankaraja e furnizoi Kosovën me dronë, Vuçiç tha se “një gjë e tillë nuk i kishte shkuar kurrë në mendje”.

“Ata duhet të bëjnë një agjendë të re, sepse nuk dinë çfarë të ofrojnë përveç urrejtjes ndaj çdo gjeje serbe”, tha Vuçiç.

Incidentet në Mal të Zi filluan më 26 tetor, pas një përleshjeje në të cilën u plagos një banor i Podgoricës, dhe për të cilën dyshohen dy shtetas të huaj.

Përleshja nxiti protesta në rrugët e Podgoricës me mesazhin se “turqit duhet të dëbohen nga Mali i Zi”. Çfarë pasoi pastaj ishin edhe sulme ndaj shtetasve turq dhe pronës së tyre.

Si pasojë – Qeveria malazeze, e cila në përbërje ka edhe parti të afërta me Vuciçin – reagoi duke vendosur regjim vizash për shtetasit turq.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi, Ivan Vujoviç, vlerësoi në rrjetet sociale se Vuçiçi po ndërmerrte veprime kundër Turqisë përmes Malit të Zi, sepse Ankaraja dërgoi dronë në Kosovë.

Vuçiç deklaroi se Vujoviçi është “një djalë që kryen porosi për (ish-presidentin malazez) Milo Gjukanoviç”, dhe se e njëjta gjë vlen edhe për shkrimtarin Andrej Nikolaidis, i cili tha se trazirat në Podgoricë “mbajnë firmën e qartë autoriale” të presidentit serb.

Vujoviç dhe Nikolaidis nuk ishin të vetmit që i akuzuan autoritetet në Beograd.

Duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për të hequr regjimin pa viza për qytetarët turq, Lidhja Evropiane në opozitë vlerësoi se ky ishte “akt ksenofobik” dhe i rrezikshëm nga ana e Qeverisë, dhe se e gjithë kjo po “ndodhte me urdhër të shefit që i shërben në Beograd”.

“Menjëherë pas lajmit se Turqia kishte dërguar dronë në Kosovë. Kjo ishte arsye e mjaftueshme që Qeveria e Spajiçit dhe partnerët e saj ekstremistë të fillonin një valë të re histerie ndaj të gjithë popullit turk”, tha kjo parti më 28 tetor.

Më 27 tetor, kur filluan tubimet antiturke, kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, komentoi ngjarjen në kontekstin e ftohjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Ankarasë.

“Pas më pak se 20 ditësh, a po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?”, shkroi Fejziç në rrjetin X, duke postuar një fotografi të tekstit me titullin “Vuçiç sulmoi Turqinë: Ne e dimë se çfarë po planifikoni…”.

Një pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, kryesisht partitë e Frontit Demokratik, kanë lidhje të ngushta me Beogradin dhe serb Vuçiç./ REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njofton për takim…