
Tre ekonomistë fitojnë Nobelin për punën e tyre mbi ndikimin e teknologjisë në rritjen ekonomike
Çmimin Nobel për Ekonomi sivjet e kanë fituar amerikano-izraeliti Joel Mokyr, Philippe Aghion nga Franca dhe Peter Howitt nga Kanadaja për punën e tyre mbi ndikimin e teknologjisë në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Mokyr, 79 vjeç, fitoi gjysmën e çmimit për “identifikimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme përmes përparimit teknologjik”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Aghion, 69 vjeç dhe Howitt, 79 vjeç, ndan gjysmën tjetër të çmimit për “teorinë e rritjes së qëndrueshme përmes shkatërrimit krijues”, shtoi Akademia.
John Hassler, kryetar i komitetit që ndan çmimin, u tha gazetarëve se puna e tyre u është përgjigjur pyetjeve se si shpikjet teknologjike nxisin rritjen dhe si mund të mbahet rritja e qëndrueshme.
“Gjatë pothuajse gjithë historisë së njerëzimit, standardet e jetesës nuk ndryshonin shumë nga një brez te brezi tjetër. Rritja ekonomike ishte, mesatarisht, zero dhe stagnimi ishte normë”, tha Hassler.
Por, gjatë dy shekujve të fundit “gjërat kanë ndryshuar shumë”.
“Gjatë 200 vjetëve të fundit, bota ka përjetuar më shumë rritje ekonomike se kurrë më parë në historinë e njerëzimit”, shpjegoi për gazetarët Kerstin Enflo, anëtare e Komitetit për çmimin për ekonomi.
Megjithatë, ajo tha se “200 vjet janë ende një periudhë e shkurtër krahasuar me historinë e gjatë të stagnimit që kemi parë më herët”.
“Puna e laureatëve na kujton se ne nuk duhet ta marrim përparimin si të mirëqenë. Përkundrazi, shoqëria duhet të mbajë sytë te faktorët që gjenerojnë dhe mbajnë rritjen e qëndrueshme ekonomike”, tha Enflo.
Mokyr, që është profesor në Universitetin Northwestern në Shtetet e Bashkuara “ka përdorur burime historike si mjet për të zbuluar shkaqet se shndërrimit të rritjes së qëndrueshme në normalitet të ri”, tha juria përmes një deklarate.
Ai u spikat sepse demonstroi se nëse “inovacionet do të pasojnë njëra-tjetrën në një proces vetë-gjenerues, nuk mjafton vetëm të dimë se diçka funksionon, por gjithashtu duhet të kemi shpjegime shkencore se pse funksionon”.
Aghion dhe Howitt më pas krijuan një model matematikor për “shkatërrimin krijues” – që i referohet një procesi kur “një produkt i ri dhe më i mirë hyn në treg, kompanitë që shesin produkte të vjetra humbasin”.
“S’mund të gjej fjalë që të përshkruaj se si ndihem”, tha Aghion për gazetarët përmes telefonit pasi u bë publik lajmi për çmimin.
Çmimi për Ekonomi është i vetmi që nuk është pjesë e pesë çmimeve origjinale të krijuara në bazë të testamentit të shkencëtarit suedez, Afred Nobel, i cili vdiq më 1896.
Ky çmim u krijua më 1968 përmes një donacioni nga Banka Qendrore suedeze. Por, edhe sikurse çmimet për Kimi dhe Fizikë, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave zgjedh fituesit dhe ndjek të njëjtin proces për përzgjedhje.
Çmimi në ekonomi mbyll ndarjen e çmimeve të Nobelit për këtë vit, kur u nderuan shkencëtarët për punën e tyre për sistemin imunitar të njeriut, për aplikimet praktike të mekanikës kuantike dhe zhvillimin e formave të reja të arkitekturës molekulare.
Nobeli për Letërsi iu nda shkrimtarit hungarez Laszlo Krasznahorkai, veprat e të cilit eksplorojnë temat e distopisë post-moderne dhe melankolisë.
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, mori Çmimin Nobel për Paqe.
Fituesit e Çmimit Nobel për Ekonomi marrin një diplomë, një medalje prej ari dhe një çek prej 1.2 milion dollarësh. /REL