
Tre kongresistë amerikanë i bashkohen “Caucus-it Shqiptar” në Kongresin e SHBA-së
Kongresmeni Pete Sessions është anëtari më i ri i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i njohur ndryshe si “Caucus-i Shqiptar”. Grupi përbëhet nga ligjvënës amerikanë të cilët mbështesin interesat e shqiptarëve në SHBA dhe në Ballkan.
Lajmi u bë i ditur nga organizata “Albanians for America”, e cila njoftoi se Kongresmeni Sessions është tashmë pjesë e këtij grupi ndërpartiak që promovon marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në një mesazh të posaçëm Kongresmeni Sessions ka thënë se rikonfirmon përkushtimin e tij për të mbështetur shqiptarët, si në SHBA ashtu edhe në Ballkan.
“Theksoi rolin jetik të diplomacisë amerikane dhe nevojën për një angazhim të vazhdueshëm në rajon. Vlerësoi punën e palodhur të përfaqësuesve të AFA-së, Gino Mulliqi dhe Doc Vranici, për avokimin e çështjeve shqiptare në Uashington”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Gjithashtu, Kongresistet Lori Trahan (D-MA) dhe Delia Ramirez (D-IL) janë bashkuar zyrtarisht me “Caucus-in Shqiptar” në Kongresin Amerikan duke shënuar një moment pozitiv për përfaqësimin shqiptaro-amerikan në Capitol Hill.
Kongresistja Lori Trahan, e cila përfaqëson Distriktin e 3-të të Massachusetts, sjell një përvojë të fortë në shërbimin publik dhe udhëheqjen e politikave. Ndërsa Kongresistja Delia Ramirez, që përfaqëson Distriktin e 3-të të Illinois, është latina e parë e zgjedhur në Kongres nga rajoni i Midwest-it.