Tregtar flamujsh

04 shkurt 2022 | 15:25

Albanë Mehmetaj

 Libri i dytë me tregime, Tregtar flamujsh (Tiranë, 1935), avancon idenë e Koliqit në një temë tjetër të ndërliqshme, ndryshe nga Hija e maleve, por duke qenë njëjtë i rëndësishëm. Koliqi këtu ndërton një botë artistike narrative si figurë e përgjithshme e një realiteti shkodran autentik. Tregtar flamujsh del si figurë përfaqësuese e të gjitha tregimeve, edhe pse ky është titull vetëm i tregimit të parë. Tregimet e tjera mund të lexohen si pasuese të tij, duke e shënjuar kështu një situatë jetësore e duke trajtuar relacione të njerëzve në një hapësirë të caktuar kohore.

Strukturalisht libri përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë tregime të cilët shënjojnë jetën shkodrane, në të cilët depërtohet në plane të ndryshme jetësore, si në realitetin e ashpër, po ashtu edhe në atë ambicioz, të rëndomtë e lumturues. Pothuajse të gjitha tre­gimet kanë titull figurativ për të shënjuar një situatë jetësore, duke u krijuar nga forma jo të gjata tekstore, me ngjarje që zbulohen shpejt e lexohen këndshëm, për të zbuluar fuqinë e tyre kuptimore.

Te këto proza në lexim të parë vihet në pah marrëdhënia e veçantë me qytetin e Shkodrës, e cila fillimisht realizohet nëpërmjet shfaqjes së raportit të tregtarit me poetin, duke u zgjeruar në përshkrimin e pamjeve të tjera, të cilat bëhen shkas për të rrëfyer kuptime e projeksione shpirtërore përmes figurave. Fuqia shprehëse dhe stili i Koliqit bëjnë që të preket ndjenja e hollë rrëfimtare dhe qenësia e personazheve si në planin psikologjik, ashtu edhe në atë shpirtëror. Kështu, reali­teti shkodran, i njohur mjaft mirë nga Koliqi, duke u bërë bashkë me imagjinatën, zbulojnë nuanca të zgjedhura rrëfi­more dhe jetësore të njerëzve të zakonshëm në përditshmërinë e tyre, por që dalin të pazakonshme përmes gjuhës së Koliqit.

Nëpërmjet këtij lloji të shkrimit dhe këtij diskursi fiksional, si dhe emocionit të shkrimtarit të mërguar, Koliqi di mirë të trajtojë edhe mungesat e vendit, edhe të mirat e vendit, si dhe zakonet e mira dhe ato të mbrapshta, duke i thurur rrëfimet bukur e me dashuri. Kjo bën që shpeshherë të ndihet një vijë e butë satirike ndaj shkodranëve, por duket interesante pasi rrëfehet gjithçka imtësisht, e prek çdo kategori njerëzore për të provuar çdo gjë shkodrane e për të ndërtuar situata të tilla. Por, kjo vijë theksohet dukshëm edhe në aspektin tjetër, kur malësorët përbuzen nga shkodranët, temë që është gjithmonë aktuale, por që bëhet shumë e këndshme me efektet estetike që i krijon Koliqi.

Këto rrëfime kanë objekt jetën e qytetarëve shkodranë, duke u thelluar tek individi që preokupim ka atdheun, pasurinë, gëzi­met e gjalla, përmallimet, dashurinë, hidhërimet, duke mani­festuar kështu ambient, kulturë dhe sjellje. Rrëfimet, pra, kanë tipare sociale, prandaj edhe heronjtë e saj janë të ndër­tuar në këtë mënyrë, duke zhvilluar fantazinë për gjëra kon­krete që ata i bëjnë të lumtur, por edhe për gjëra që ata shqe­tësohen pa pasur në konsideratë kode se si duhet të sillen. Në këto rrëfime, po ashtu, ndihet një vijë autobiografike, sidomos kur në tregime është protagonist ose veç pjesëmarrës Hilush Vilza, poeti, duke bërë që tregimet të marrin natyrë më intelektuale. Hilushi këtu del një atdhedashës e një kulturë­dashës, duke pasur përherë objekt Shqipërinë e dijen në çdo rrethanë që sprovohet.

Po kjo linjë autobiografike vërehet kur protagonist është i mërguari jashtë atdheut ose ai që është kthyer nga mërgimi. Në këtë pikë rrëfimi, përveç që ndërtohet duke u thurur nën nostalgjinë për vendin, si te Kumbulla përtej murit etj., aty-këtu rrëfimi ndërtohet edhe si dëshirë për t’u kthyer përsëri në mërgim, si te tregimi Vêna shtatëvjeçe. Pra, në përgjithësi perso­nazhet e tregi­meve Tregtar flamujsh janë të lirshëm në veprime, duke zgjedhur të veprojnë ashtu siç duan vetë dhe ashtu siç dinë ata. Prandaj, autori i trajton artistikisht për të hyrë sa më bindshëm në shpirtin e tyre, në botën e brendshme dhe në ndjesitë për të prodhuar kuptime të reja për: tregtarin e poetin (Tregtar flamujsh), vëllanë e motrën (Dram i vogël), raportet dhe kujtimet në mes të kushërinjve (A t’a laçë), raportin patriarkal të babës me familje dhe ndërrimit të tij të menjëhershëm në situata të caktuara (Véna shtatëvjeçe), zbulimit të dashurisë (E gjeti mbas shimshirit), pikëllimit familjar (Vaji i çitun), para­gjykimit për dashurinë (Bylbylat e Plepishtit), paragjykimit për librin dhe poetin (Anmiku në shtëpi), mallin dhe dashurinë për nënën (Duert e nânës), mallin dhe kujtesën për kohën e shkuar (Kumbulla përtej murit), tradhtinë bashkëshortore për përfitime materiale (Rrokoll), thashetheme dhe trillime të lezetshme (Nji ngjarje në rrugacën Kezenaj), kërkimin e lumturisë (Lumnija), zbulimin e dashurisë (Hânë gjaku) dhe talljen e shkodranëve të shkolluar nga malësori (Djep i arit).

Shihet intenca e Ernest Koliqit që përmes formës tregimtare të hetohet fati i njeriut idealist e tregtar, si dhe sferat e tjera ideologjike si fenomene të cilat e mbërthejnë Shkodrën dhe mendësinë shkodrane në përgjithësi. Kështu, figurativisht shënjohet hapësira “urbane” shkodrane, me një emocion të theksuar e për t’u ruajtur brumi nacional shqiptar.

Gjuha e letërsisë së Koliqit depërton thellë në planin ideo­logjik të personazheve për ta prekur fantazinë e poetit dhe ndjenjën e atdhedashurisë, por kjo gjuhë depërton thellë edhe te gruaja që s’mund ta përballojë skamjen, prandaj edhe e shet trupin e saj. Kjo gjuhë hyn thellë edhe në shpirtëroren e burrit të saj, i cili ka ves pirjen, duke e lënë pa bukë vajzën dhe gruan, por edhe duke e brejtur ndërgjegjja për katandisjen e gjithë familjes. E gjithë kjo ngjarje tematizohet te tregimi Rrokoll, i cili sa shpërfaq gjendjen shpirtërore të gruas, aq më tepër të burrit, i cili në fund i vëren të gjitha, por është i pafu­qishëm për të ndërruar gjë, prandaj vazhdon mjerimin, vazh­don të pijë.

Këtë jetë të gjallë të shkodranëve Koliqi e provon edhe me doket dhe zakonet e thjeshta të shqiptarëve, duke i manifes­tuar në një ngjarje mortore te Vaji i qitun, duke dhënë pamje e biseda të mërzitshme e të zakonshme, por duke manifestuar përsëri psikologji­zmin njerëzor në rastet e tilla. Por edhe në këtë plan, përmes dialogëve që zhvillohen, ndihet një ton paro­dizues i Koliqit për këto rituale, duke bërë të harrohet i vdekuri:

Harrohej i dekuni, send kryesuer, por s’harroheshin njiqind ndërli­kime të zakonit qi dilshin në rend të parë![1]

Kjo temë ndërron kah, por jo edhe stil dhe shprehje te tregimi Një ngjarje në rrugacën Kezenaj, që nëpërmjet rrëfimit të përfoljes me moralitetit të ulët e shpifjeve të kota, për të kri­juar ngjarje tragjike të personazheve që kënaqen duke trilluar. Këtu Koliqi depërton te mentaliteti i atyre djemve dhe vajzave që mashtrojnë, atyre që bëhen të gjithëdijshëm, po ashtu i vajzave që luajnë të ndershmen e krijojnë paragjykime për ata që janë shkolluar jashtë:

Ăsht rritë përjashta, moj Katarinë. Njikush janë të rijt e soçëm – e ngushëlloi Agostina.[2]

E gjeti mbas Shimshirit është tregimi që më së bukuri shenjëzon dashurinë nëpërmjet vendit konkret “mbas shimshirit”, që nëpërmjet një emocioni dhe dashurie të sinqertë, por të sapo­zbuluar, ndërtohet një jetë. Prandaj, diskursi i Koliqit, duke marrë shkas nga dashuria dhe ndjeshmëria që prodhohet, shkon duke u madhëruar edhe më tej:

– Pot të gjeta e së të lâ me m’u mshefë mâ…

Asaj i shëndritën syt.

Ai kapi duert e saja të vgla edhe i a shtrëngoi dashubisht.

Përshpëriti:

– A flas me Gjonin sonte? A do?

Ajo pohoi me krye, tue u kuqë edhe mâ tepër.

– Të kam pasë përditë para sysh e s’jam kujtue aspak…

Ajo bâni me nji fije zâni, ku tingullont e gëzimi i gjallë:

– S’të binte ndër mênd me shikue edhe nji herë mbas shimshirit!…[3]

Lumturia, si fenomen që përshkon njerëzit, trajtohet edhe te tregimet e Koliqit, konkretisht te tregimi i emëruar me këtë titull Lumnija. Rrëfimi këtu përbëhet në një formë shumë të shkurtër, por duke hapur fort sensibilitetin e femrave të reja rreth lumturisë së përjetuar. Temë e tyre e diskutimit është të rrëfejnë përjeti­min e lumturisë edhe kur janë ndier të lumtura. Por këtë pikë të bisedimit e përbën edhe një temë tjetër e Koliqit, siç është ndjenja e inferioritetit të malësorëve. E kjo theksohet qartë kur shoqet e pyesin Dalinë për lumturinë në mënyrën e përgjegjës së saj:

 – E lume? Po s’asht lumnija për mue, qi jam Malsore e shkretë, lum Gjizela; âsht për jû dyja qi jeni zoja![4]

Por, këtu Koliqi ndërhyn me zërin e Gjizelës, duke e thek­suar idenë e tij të përhershme nëpërmjet figurës së “brumit të bukës”:

 – Po pse? Buka e nji millit jena të gjithë. Fol: kur t’u duk se kjé me të vërtetë e lume?[5]

Do të thotë, në një tregim të vogël Koliqi bën bashkë dy tema të mëdha: të nacionalitetit dhe të dashurisë, sepse perso­nazhet vajza rrëfejnë secila për lumturinë e tyre, duke pasur objekt dashurinë për djemtë.

Dashuria, si pjesë përbërëse e jetës së shkodranëve, zbulohet edhe te tregimi Hânë gjaku, që krejt rrëfimi nis nga djali e vajza rreth interpretimeve për imazhin që krijon hana e kuqe e domethënieve që ka prodhuar ajo ndër shekuj. E, në fund, si duke mos duruar më, vajza shfaq dashurinë duke pyetur djalin se:

Po me më dashtë mue a din?[6]

Një çështje tjetër që shtrohet bukur në këtë tregim është edhe mënyra e vështrimit të gjërave në distancë të ndryshme kohore nga personat e njëjtë. Këtu perso­nazhet, djali dhe vajza, shtrojnë si bisedë çështjen e perceptimit të gjërave që nuk janë njëjtë si në kohën e fëmijërisë së tyre, kur hana e gjakut prodhonte te ta shumë frikë e të dridhura misterioze.

Po kjo temë trajtohet edhe te Kumbulla përtej murit, pra mënyra se si duken të vogla gjërat që në kohën e fëmijërisë ishin shumë të mëdha, si dhe për mënyrën se si disa gjëra, pa e kuptuar as vetë, të krijojnë ndjesi e adhurim të papërshkru­eshëm. Ky rrëfim ndërtohet nga Lec Gurrmolla, i cili kthehet prej kurbetit pas shumë vjetëve, por ajo që i lë përshtypje është kumbulla përtej murit. Këtë sensibilitet që i krijon ajo pamje nuk e kupton as personazhi, por ai ecën pas asaj ndjenje, duke e kaluar murin. Dhe këtu hapet edhe tema tjetër e Koliqit, kur shpirti i Lecit përkundet nga malli i moshës së humbur. Për më tej, në frymë të zakoneve shqiptare, ai gostitet nga plaka me reçel shtëpie, që për ta kishte vlerë simbolike. Do të thotë, edhe në këtë rrëfim të shkurtër Koliqi futet tërësisht në shpirtëroren e individit vetëm për t’i zbuluar ndjesitë dhe mallin për atdheun, të fshehura figurativisht pas kumbullës.

E mallin për atdheun (orendít e odës së huej, ku ai përkohësisht banonte, erdhën e u futën në shikimin e tij ashtu si mbytën sendet në nji liqé[7]) dhe për gjakun e njëjtë që rrjedh në duar, Koliqi e tematizon shkurt dhe fort te tregimi Duart e nânës. Këtu protagonisti zgjohet i sëmurë jashtë atdheut, duke u djegur flakë e duke ëndërruar që të jetë në Shqipëri. Sëmundjen ia thëllon edhe më shumë ndjenja e të qenit jashtë dhe ftohtësia që vjen nga zëri i huaj i zonjës së shtëpisë. Sado që ajo për­piqet të kujdeset për duart e nënës, nuk mund t’ia zëvendë­sojë, prandaj ai thërret:

Ah, duet e nânës. Ato shërojnë me nji të prekun sepse i njâjti gjak rrjedh n’ato gishta qi freskojnë e në tâmth qi digjen; ai mish qi vuen qe dikuer mji me ato duer qi âmbëlsisht përpiqen me largue zjarrmíne tij.

E ato duer ishin larg.[8]

Tregtar flamujsh është tregimi i parë me të cilën hapet vepra me po të njëjtin titull dhe i cili është shënjuesi kryesor për të përcaktuar temën e librit. Këtu Koliqi, me mjeshtërinë rrëfi­more e imagjinare, depërton thellë në zbulimin e botës shpir­tërore të dy personazheve të tregimit: Hilush Vilzës e Gaspër Tragaçit. Që të dy vijnë nga qyteti, duke mos i ndarë ambienti, por duke mos i bashkuar pikëpamja ideologjike.

Tregimi Tregtar flamujsh, nga vetë titulli, sugjeron se do të objektivojë tregtarin e flamujve, por se në çfarë kuptimi dhe në çfarë konteksti, jepet në fund të tekstit. Ngjarja zhvillohet në dyqan të tregtarit dhe zbulohet kur poeti idealist vihet përballë tregtarit përfitues. Në këtë vështrim i gjithë tregimi mund të lexohet si një intencë autoriale, që përmes tregtarit të shpërfaqë një kategori tjetër njerëzish nga ai, duke u bërë shkas flamuri.

Krejt shpalimi i mendimeve ndodh kur Hilush Vilza shkon në qyqan të tregtarit, pasi e ndiente një lloj detyrimi familjar, në anën tjetër ndien një lloj neverie, e kishte një parandjenjë dhe ftohtësi shpirtërore që të mos shkonte, por shkon.

Në bisedat e para që kishte me tregtarin fillon të mendojë që e kishte krijuar gabimisht perceptimin për të, sepse në bisedat që ata bënë për Shqipërinë, tregtari i kishte mësuar formulat se si të fliste. Gaspër Tragaçi, i cili ishte moshatar i babait të Hilushit, që të hyjë në bisedë me të, filloi të fliste pozitivisht për Shqipërinë, për dijen dhe për poezinë, për ndërrimin që duhet t’ia bëjë gjenerata e re gjeneratës së vjetër. Dhe Vilushi, edhe pse e ndiente atë ftohtësinë e zërit të tij, duke iu dukur si zë metalik, prapë i hap rrugë ta zbulojë vizionin e tij për Shqipërinë:

Nju popull i ri vonon m’u vû n’udhë të qytetnîs, pse fillesat janë gjithmonë të vishtira. Por ky i yni tash kapërcen perngimet e tash ecë me shpejtí kah përparimi.[9]

Por, parandjenja e Hilushit për Gasprin me zërin e ftohtë e të pabesueshëm që s’e linte të tërin të lëshohej në entuziazëm për Shqipërinë që e donte kaq shumë, shpejt zbulohet. Kjo ndodh pasi hynë në dhomën e tregtarit të hedhur kuturu, pa ndonjë respekt për fla­murin. E kjo lidhet në pikën kur bise­dojnë për Shqi­përinë dhe mërzinë e tregtarit që ka një dhomë të mbushur me flamuj e nuk i blen askush. Ky nuk mërzitet për çështjen e Shqipërisë, se a ka Shqipëri apo nuk ka Shqi­përi, por a e blen ndokush mallin e tij që janë flamujt kuq e zi. Shqipëria në këtë mendim të tij është atëherë kur njerëzit e saj blejnë flamuj dhe e pasurojnë tregtarin. Tjetër kuptim për të flamuri nuk ka dhe nuk mund të ketë. Do të thotë, flamuri, si shenjë nacionale me të cilën identifikohen shqiptarët, duke lidhur për të një varg ngjarjesh historike, nuk ekziston, por vetëm flamuri si mall me të cilin mund të fitohet ose mos të fitohet. Ndërsa për Hilush Vilza, që është vetë autori, Shqipëria e poezia kanë tjetër vështrim dhe tjetër ndjesi, duke e bërë poetin të lidhur përherë me to në çdo plan jetësor. Për të këta dy emra përbëjnë gjithë fantazinë e tij krijuese për të bukurën, madhështinë e të shenjtën. Nëpërmjet poezisë ai mund t’i prekë majat e lumturisë, duke krijuar botë të re, pavarësisht tregtarit që e quan poezinë përrallë dhe ëndërr. Ndër të tjera, ai edhe tallet me poetin, duke i thënë që poezia e Shqipëria do t’i jepnin dritë:

Me zá qi dridhej prej pezmit, tjetri i a këthei:

– Po, zatí ti s’din veç me qitë bejta.[10]

Kjo temë e thotë idenë e vet edhe më qartë kur Hilushi mendon se Gaspëri nuk jeton, por mashtrohet duke e mbu­shur “dugájën” me mall, duke e konsideruar si varrë të tij. Tregtari akuzon poetin se kot shkruajnë e bëjnë thirrje për dashurinë ndaj Shqipërisë, duke e parë si të pakuptimtë kur nuk i shiten flamujt. Kur nuk shiten flamujt, s’ka as Shqipëri për të. E në fund poeti, duke u munduar ta lehtësojë e qetë­sojë veten, i premton tregtarit që Shqipëri do të ketë gjith­monë, e edhe flamujt e tij do të shiten.

Në këtë aspekt ky tregim është më karakterizuesi për zbu­limin e dy shtresave të mentalitetit të Shkodrës së Koliqit. Nga adhurimi e dashuria për Shqipërinë që ka poeti dhe kategoria e tij, na paraqitet edhe kategoria e dytë e tregtarëve që mendojnë se poezia nuk vlen nëse nuk e motivon blerësin të blejë flamur. Ato i shohin të lidhura bashkë Shqipërinë, poezinë dhe shenjat kom­bëtare. Në këtë ndeshje të ideve e të kuptimit për jetën, është interesante edhe mënyra se si e paraqet Koliqi Hilush Vilzën, për dallim nga tregimet e tjera, në të cilën ai është më i matur dhe më i qetë në veprime. Mirëpo, kur rrëfimi merr pikën kulminante, Hilushi “ndizet” shpejt e bëhet i ashpër në bisedë, sepse nuk duron të nënçmohet Shqipëria e tij dhe flamuri i saj.

Bylbylat e Plepishtit është tregimi tjetër i Koliqit që i përket këtij rendi rrëfimor për t’i zbuluar paragjykimet jo tash për flamurin dhe Shqipërinë, por mentalitetin e femrës shqiptare. Prandaj titulli i tregimit Bylbylat e Plepishtit del si metaforë, që nëpërmes semantikës së tekstit, zbulon domethënien e tregi­mit, duke u bërë koncept i tregimit.

Protagonistë të tregimit janë Hilushi Vilza, poet, dhe Loro Shegori, që të dy shkodranë të shkolluar jashtë vendit, me dije dhe kulturë evropiane. Dhe kjo dije e kulturë na sjellë te thelbi i tregimit, pasi që dy djemtë e ri shpalosin mendimet për vajzat shqiptare, për raportin që mund t’i kenë me to ose jo, duke i paragjykuar vajzat e vendit. Filli i bisedës nis kur dy djemtë nisin t’i japin arsyet pse nuk kanë pranuar të martohen me Çiljetën, vajzën e Cuk Rajës, që për këtë punë kishte ardhur shkuesi te të dy djemtë, por që të dy kishin refuzuar të martoheshin me vajzën që nuk e njihnin. Kjo bisedë bën që, ndër të tjera, personazhet të hapin edhe temën e zakonit të martesës në Shkodër që ajo të bëhet nëpërmjet përzgjedhjeve familjare dhe miqësore, pra jo që ata ta zgjedhin vetë vajzën. Prandaj, biseda e tyre shndërrohet shpesh edhe në tallje, duke i bërë të mendojnë që ata ose nuk do të martohen fare ose të martohen me vajza jashtë vendit, sepse sa për Shkodrën nuk besojnë se do të hiqet zakoni që të njohin filli­misht vajzën e të rrinë me të para martesës.

Si mund të martohesh pa e njoftë aspak vahzën qi ka m’u bâ gruaja e jote e ka me kalue tânë nji jetë me ty? Jo, mâ, thonë, por âsht shtëpijet të mirë, e urtë, bojagí e hijeshme, e rritun me kujdes, me shkollë e ku dih un. Taman. E mbandej? Po me bâ mos me përkue natyra e saj me t’emen? Po, me të gjitha cilsít qi thaçë, mos me pasë ajo kurgjâ qi me zgjue në mue nji interesim të veçantë? Besoj qi vajza e cila di të bâhet shoqe e përhershme e jetës s’eme duhet të két dishjka qi të më nxisi m’e zgjedhë shi atê ndër sá tjera.[11]

Por mendimi u ndërron kur, pas një udhëtimi për shkak të prishjes së makinës, ata detyrohen të ndalen në një fshat që quhet Plepisht. Dhe këtu nisin të ndryshojnë mendimet e tyre palë-palë, së pari për bujarinë e zotit të shtëpisë dhe kujdesin, i cili i pret në mënyrën më të mirë, me zakonet e njohura shqiptare, duke treguar një kulturë dhe një dashuri për miqtë në mënyrë të pakrahasueshme, e sidomos për Hilushin, i cili kishte interesim të madh për zakonet shqiptare.

Në këtë situatë, nëpërmjet diskursit ekspozues të Koliqit hyn në lojë edhe Çiljeta, vajza që ata e kishin refuzuar për martesë, e që ajo tash kishte qëlluar në shtëpinë e kushërinjve të saj, ku ata kishin trokitur për ta kaluar natën. Sapo shfaqet Çiljeta, dy djemtë e njohin dhe fillojnë të mrekullohen jo vetëm nga bukuria e saj, por edhe nga mënyra e sjelljes, nga mënyra e bisedimit (duke problematizuar tema të mëdha), nga mënyra e vallëzimit, e tërheqjes, dmth. e përkryer në çdo aspekt. Edhe vajza shkodrane në këtë pikë e luante rolin e saj më së miri, me dinakëri femërore duke e kryer rolin, që shkuesi i saj nuk kishte mundur ta bënte. Ajo, për dallim nga shkodranet e tjera, ulet në sofër me shko­dranët. Ajo qëllimshëm përdorte tërë hiret femërore që t’i habiste dhe mahniste djemtë.

Hilushi e Loro, duke parë bukurinë e saj, kulturën e saj, dashurohen në të, duke e adhuruar për çdo veprim të saj, por edhe duke u ngacmuar nga kureshtja. Për cilin prej tyre ajo ushqente simpati. Prandaj edhe ata përpiqen që ta tregojnë veten më së miri, duke shfaqur gjithë horizontin e dijes së tyre e duke dhënë mendime për t’i pëlqyer Çiljetës. Këtu, Koliqi, për të provuar edhe një herë, në kontekst krejt tjetër, hap temën e tij të përhershme të zakoneve të reja e të zakoneve të vjetra. Këtu këtë bisedë e bën nëpërmjet zërit të poetit dhe shegorit. Poeti, si gjithmonë, krijon apologjinë e traditave më të shëndosha të shqiptarëve, duke menduar se duhet të zhvi­llohen pa luajtur bazat e zakoneve tipike të vendit. Mendon që kombi duhet të përtërihet, duke përfituar nga pasuritë që trashëgohen nga kalesa. Përkundër këtij mendimi, veten e tregon Loro me një diskurs komik ndaj Hilushit, duke men­duar se jeta e re duhet të fillojë duke thyer çdo lidhje me zako­net e trashëguara. Që ta përfitonin dashurinë e Çiljetës, i pari tregohej më i kulturuar, i dyti më i shëtitur.

Kur bisedat përfundojnë dhe vjen koha e gjumit, dy djemtë nuk mund të rehatohen deri në mëngjes, duke menduar për vajzën pa i treguar njëri-tjetrit. Dhe, po kështu, në fshehtësi, të nesërmen, shkojnë ta kërkojnë dorën e Çiljetës, siç e do zakoni, por është shumë vonë, sepse asaj tashmë babai i ka krijuar jetë të re, duke e martuar tjetërkund.

Në këtë tregim Koliqi edhe një herë do ta trajtojë bukurinë dhe kulturën e vajzës shqiptare duke dashur t’i çrrënjosë paragjykimet për to.

Tregimi Djepi arit lidhet konkretisht me raportin e malësorit me personazhin nga Malësia dhe shkodranët, personazhet nga qyteti, por në një këndvështrim krejt tjetër e me diskurs tjetër. Koliqi nëpërmjet karaktereve Bajramit (malësorit), Hilush Vilzës (poetit), Loros (tregtar), shenjëzon botën shpirtërore të tyre, por në një situatë të pazakonshme e me një diskurs që vë në lojë.

Gjithë tregimi është shkruar si një rrëfim i bukur i vënies në lojë, duke hapur ëndrrat e personazheve të tjerë, duke i zbu­luar dëshirat. Me Bajramin, Koliqi ndërton tipin e heroit gënjeshtar, i cili vjen nga fshati në qytet për t’i mashtruar njerëzit e pasur e të ditur, duke thënë se ka gjetur pasuri të madhe nën dhé. Strategjia e tij është shumë e besueshme. Ai arrit të bindë secilin që vetëm ai e di fshehtësinë. Kështu, së pari ai arrin ta mashtrojë tregtarin Loro, duke e bindur se ka gjetur pasuri të madhe nën dhé, por si malësor që është nuk di se çka të bëjë, duke i thënë se e ka përzgjedhur atë meqë është njeri i dijshëm. Por Bajrami mashtrimin e shtrin gjatë. U rrëfen shumë njerëzve në qytet për pasurinë “e gjetur”. Në këtë mënyrë, me mashtrimin e tij ai përfiton të holla nga të gjithë si kusht për ta ruajtur fshehtësinë nga tjetri.

Në këtë pikë është e rëndësishme gjuha që përdor autori për të hyrë në botën psikologjike të personazheve të profileve të ndryshme. Për shembull, tregimin për gjetjen e pasurisë e beson edhe Hilush Vilza. Edhe ai pret me mosdurim zbulimin e saj, por me këtë gjetje ai menjëherë e mendon dobinë dhe rëndësinë e historisë shqiptare, prandaj këtë gjë e konsideron edhe si punë shumë të madhe. Për më tej, poeti hyn në mendime se kjo pasuri e gjetur nga malësori, e cilës kohë mund të jetë, visare të kujt janë, prandaj ngreh hamendësime të ndryshme.

Hilush Vilza, me pasurinë e gjetur, dëshiron ta krijojë një spital të madh, një institut për mbledhje të folklorit të Shqipë­risë sistematikisht: me këngë kreshnike, me përralla dhe gojë­dhëna. Do që të botojë libra, të bëjë edicione luksi me komente për Budin, Bogdanin, De Radën, Naim Frashërin e Skiroin. Pastaj, dëshiron të hapë biblioteka dhe të përkthejë në shqip kryevepra botërore, edhe të hapë muzeume arkeologjike e të tjera. Pavarësisht prej planit kulturor e autentik të Hilushit, që duket se flet vetë Koliqi, ambiciet e tregtarit shpalosen krejt ndryshe, duke u dhënë pas luksit e jetës së mirë me pasuri të madhe, me shëtitje nëpër vende të ndryshme dhe hotele luksoze me makina e jahte të brendit të ri.

Me këtë rrëfim Koliqi arrin të depërtojë denjësisht në bren­dinë e secilit, ambicia e të cilëve zgjohet pasi preket pika më e ndjeshme njerëzore. Kjo temë që e trajton Koliqi këtu, sa shikohet në planin se si fan­tazojnë njerëzit para fenomenit të pasurisë, po ashtu trajton përbuzjen që ua bëjnë qytetarët malësorëve. “E ku din nji Malsuer me rréjtë aqë bukur?” është men­dimi i tyre, prandaj edhe kur u shkon mendja që Bajrami mund të ëndërrojë ose mashtrojë, prapë nuk mund të besojnë se malësorët dinë të gënjejnë kaq bukur. E pikërisht ky paragjykim përdoret fort për t’i tallur dhe gënjyer shkodranët dhe për ta theksuar tehun e mprehtë të malësorit për të fantazuar.

I gjithë ky rrjet i mashtrimit zbulohet në fund të tregimit, kur të gjithë kuptojnë për njëri-tjetrin, duke i zbuluar edhe ëndrrat që i kishin krijuar për pasurinë që do ta krijonin. Por, përkundër gjithë kësaj historie, asnjëri në fund nuk hidhërohet me Bajramin, vetëm fillojnë të tallen me njëri-tjetrin dhe ta arsyetojnë atë, si dhe t’i përjetojnë ëndërrimet që i kishin bërë:

Në fund paret qi merr i ka hak, -bisedoi Hilushi.-S’duhet përzie Bajrami me vjedhsit e zakonshëm. Edhe ai bân tregtí. S’kanë të paguem andrrimet e bukura, me të cilat u këname mbrâmë, nësa Bajrami na përkund në djepin e fantazís se tij.[12]

 

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”)

[1] Po aty f. 212

[2] Po aty f. 264

[3] Po aty f. 206

[4] Po aty f. 273

[5] Po aty f. 279

[6] Po aty f. 281

[7] Po aty f. 282

[8] Po aty f. 241

[9] Po aty f. 172

[10] Po aty f. 175

[11] Po aty f. 217

[12] Po aty f. 314.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar…