Trekëndëshi Balluku-Abazi-Ademi/ E vërteta për bllokimin e aeroportit të Vlorës

11 janar 2026 | 15:20

Duke hetuar aferat e korrupsionit të Belinda Ballukut me rrugët, prokurorët e SPAK mund të kenë rënë në gjurmët e të vërtetës për aeroportin e Vlorës, projekti gjigand infrastrukturor që është futur në ngërç për një mosmarrëveshje mes aksionerëve.

Në dukje, ngërçet ligjore dhe pretendimet e palëve mund të ngjajnë të komplikuara, por me pak vëmëndje kuptohet qartë se cili është ndikimi i fuqishëm në prapaskenë; se kush është dora që në njërën anë ka paralizuar projektin përmes gjykatave, ndërsa në anën tjetër luan me opinionin publik duke përdorur mediat, me synimin për ta gllabëruar thuajse gjysmën e investimit.

Pak ditë më parë, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në shtëpitë dhe zyrat e biznesmenëve që rezultojnë përfitues nga tenderat e rrugëve të Belinda Ballukut. Një prej këtyre operacioneve u krye në banesën dhe zyrën e Arbër Abazit, biznesmen shumë i afërt me zv.kryeministren përmes lidhjeve të ngushta familjare, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së saj.

Arbër Abazi, bashkëjetues me vajzën e tezes të Belinda Ballukut

Kontrollet në banesën e Arbër Abazit lidhen me hetimin e tenderave të loteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Emri i tij ka dalë në hetimin e procedurave për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, ku fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Alko-Impex General Construction&2T’ sh.p.k.

Kompania e tij është Alko-Impex General Construcion dhe Arbër Abazi përveç se është familjar i Belinda Ballukut, si bashkëjetues me vajzën e saj të tezes, njihet në Tiranë edhe si nip i ish-deputetit të Partisë Socialiste Sadri Abazi.

Por ajo që tërheq vëmëndjen është se kompania e tij ‘Alko-Impex General Construction’ është degë e kompanisë me të njëjtin emër e regjistruar në Kosovë, ku zotërohet nga shtetasi kosovarImer Ademi. (Shiko faksimilen më poshtë)

Faksimile që tregon se ALKO IMPEX është në pronësi të Ymer Ademit
Faksimile që tregon se ALKO IMPEKX është në pronësi të Ymer Ademit

Të dy këta biznesmenë, Imer Ademi dhe Arbër Abazi kontrollojnë edhe shoqërinë koncesionare ‘Kukur Hydro Energy’. Këtu Arbër Abazi është regjistruar si administrator.

Me pak fjalë, se Abazi dhe Ademi, së bashku kanë krijuar një lidhje të ngushtë në biznes, një ortakëri që rezulton të sjellë fitime nga fondet shtetërore përmes tenderave që tashmë po hetohen intensivisht nga SPAK.

Valon Ademi

Vetëm se historia nuk mbyllet këtu. Për shumëkënd emri i Ymer Ademit nuk do të thotë asgjë, pasi ai është një personazh me profil të ulët publik, por ai është edhe babai i Valon Ademit, aksionerit më të vogël të aeroportit të Vlorës, që po mban të bllokuar investimin me pretendimet e tij për të kaluar nga 2% në 49% të investimit dhe që ka vënë në lëvizje jo vetëm gjykatat dhe mediat pranë qeverisë.

Lidhja Valon Ademi-Arbër Abazi-Belinda Balluku është edhe arsyeja se përse po mbahet i bllokuar aeroporti i Vlorës, por i jep edhe një shpjegim angazhimit të gjykatave dhe mediave në këtë çështje.

Behgjet Pacolli duke folur për mosmarrëveshjet me aeroportin e Vlorës

I prekur nga qasja e Belinda Ballukut në raport me atë vetë ka qenë edhe biznesmeni i MABCO, Behgjet Pacollli, gjë që e ka shprehur në emisionin Opinion.

Nuk do shumë për të dalë në përfundimin se ky rrjet njerëzish me lidhjet e tyre që tashmë po hetohen nga SPAK qëndrojnë në prapaskenë të presioneve që bëhen për të bllokuar aeroportin e Vlorës dhe që shkojnë përtej një biznesmeni si Valon Ademi.

Vetëm ky konglomerat pushteti dhe parash që zgjatohet nga Prishtina në zyrat e zv.kryeministres Balluku e shpjegon edhe angazhimin e mediave pranë qeverisë për të mbajtur anën e biznesmenit Valon Ademi duke sulmuar Behgjet Pacollin.

Por edhe për t’i dhënë një gjykateseje garancinë se mund ta rrëzojë një vendim të një shkalle më lart, sic është skandali me vendimin e gjyqtares Marjana Sheganit që nga salla e gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë rrëzoi një vendim që ishte dhënë më parë nga Gjykata e Apelit për aeroportin e Vlorës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka lëshuar raport për gjendjen…