TREKËNDËSHI I NDËRVARËSISË GLOBALE

31 dhjetor 2019 | 11:29

Çka na pret në 2020-n?

Trumpi do të luftojë për mandatin e dytë, Johnsoni për mandatin e parë – jashtë BE-së, Merkeli do të mbetet pa mandat e Macroni do të luftojë për mandat evropian. Gjermania do t’i hap kufijtë për punëtorët ballkanikë, por do t’i mbyllë për emigrantët aziatikë e afrikanë. Ballkani do të zbrazet nga ballkanasit e do të mbushet nga joballkanasit. Vështirë që, në maj, Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do ta shpërndajë mjegullën e Brukselit nga rajoni. Dialogu Kosovë – Serbi, edhe sikur të rinisë në fillim të vitit, vështirë do të përfundojë në fund të tij

Shkruan: Blerim Reka

Parashikimet gjeopolitike për vitin 2020 paralajmërojnë një vit të ndryshueshëm, në të cilin stabiliteti global do të varet nga përplasjet tregtare, energjetike dhe ekologjike. As në vitin që vjen nuk do të tejkalohen dallimet rreth këtyre tri çështjeve midis treshes së madhe: ShBA-së, Rusisë, Kinës, pa përjashtuar këtu as BE-në. Po aq i paparashikueshëm do të jetë viti që vjen, shkaku i zgjedhjeve presidenciale në ShBA dhe ndryshimeve në BE dhe NATO. Ndërkaq në Ballkan, duke qenë një vit elektoral, priten kriza të reja qeveritare dhe ndalje reformash evropiane, për çka mjegulla e Brukselit  do ta mbulojë edhe sivjet diellin ballkanik.

Do të hyjmë, pra në një vit me shumë të panjohura. Pos enigmës presidenciale amerikane, viti në të cilin po hyjmë do të sjellë ndryshime edhe në BE dhe NATO. Për të parën herë BE-ja do të zvogëlohet për një anëtar dhe NATO do të shtohet për një më shumë. Në pritje të presidentit të ri amerikan dhe tërheqjes së Merkelit, dy presidentë të tjerë në detyrë do ta maksimalizojnë lidershipin e tyre politik: Putini (në rrafshin global) dhe Macroni (në atë evropian). Ndërkaq ai kinez, Xi Jinping, do ta marrë primatin global tregtar, pas formalizimit të “marrëveshjes tregtare Kinë – ShBA: 50-50”.

Amerikanët do ta inaugurojnë regjimin e ri tregtar edhe me Kanadanë dhe Meksikën, për ta zëvendësuar marrëveshjen e vjetër për tregti të Amerikës Veriore (NAFTA) dhe do t’i vazhdojnë tarifat tregtare ndaj BE-së, sikur edhe sanksionet ndaj kompanive evropiane – pjesë e projektit të gazsjellësit rus “Nord Stream 2”. Kjo, para së gjithash, mund t’i trazojë marrëdhëniet me Gjermaninë, portës hyrëse detare evropiane të këtij gazsjellësi të Putinit, që anashkalon transitin tokësor ukrainas.

SCOTEXIT vs. BREXIT

Kryeministri britanik Boris Johnson, edhe pse e ruajti postin, i mbetet ta ruajë Britaninë e Madhe si unike. BREXIT hapi rrugën për daljen nga BE-ja, por SCOTEXIT do të shpie drejt daljes së Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.  Pas daljes  britanike, pritet dobësimi i vijës atlantiste në BE dhe forcimi i krahut “sovran evropian”.  Kjo do t’i shkojë përshtati “politikës neutrale” të Putinit, i cili në vitin që vjen do ta maksimalizojë diplomacinë energjetike me dy gazsjellësit për Evropë (“Nord Stream 2” dhe “Turkish Stream”), për t’u mos varur nga transiti ukrainas, e duke e bërë të varur Evropën nga gazi rus. Ashtu siç do ta bëjë të varur Kinën për 30 vjetët e ardhshëm, me gazsjellësin rus prej 400 miliardë dollarësh. Gazi do ta lidhë Kinën me Rusinë, po aq sa Kinën, tregtia me ShBA-në. Do të krijohej kështu një trekëndësh i ndërvarësisë globale midis tri fuqive të mëdha. Nëse gjatë Luftës së Ftohtë siguria globale varej nga dy blloqe, tash e tutje ajo do jetë tri-bllokiste.

Makronizmi si Neo-Degollizëm?

Në vitin kur Trumpi do të luftojë për mandatin e dytë, Johnsoni për mandatin e parë jashtë BE-së, e Merkeli do të mbetet pa mandat, Macroni do të luftojë për mandat evropian. Ai do të katapultohet në lider të vetëm evropian dhe do ta rikthejë formulën e para gjysmëshekulli të Degolit për BE-në me: “Francën lart, Gjermaninë poshtë dhe Britaninë jashtë”. Idenë e tij për “Armatën Evropiane” shumëkush e sheh konkurrencë të NATO-s. Viti 2020 prandaj do të jetë edhe vit i përplasjeve midis dy koncepteve: sigurisë euroatlantike dhe sigurisë evropiane.

Deri në fund të vitit që vjen Franca do ta finalizojë strategjinë e saj për reformën e BE-së, për ta shpalosur në janarin e vitit 2021, kur merr kryesimin e BE-së: me një konventë evropiane për një traktat të ri të BE-së, që do ta zëvendësojë aktualin e Lisbonës. Forcimi i brendshëm i BE-së, krahas atij të jashtëm, si aktor global, do të jetë thelbi i kësaj reforme të Macronit. Viti që vjen mund ta sjellë Macronin në fronin evropian si një lider i ardhshëm i BE-së, pas Merkelit.

Në gjashtëmujorin e parë Kroacia, si kryesuese e BE-së, vështirë se do të mund ta shtyjë përpara prospektin integrues të vendeve të rajonit. Komisioni i ri Evropian do të balancojë midis dy strategjive kundërshtuese për zgjerim: asaj franceze, (kundër) dhe asaj të 9 shteteve anëtare (pro). Si rëndom, do të gjendet një kompromis: nëse jo tërësisht të ndalet zgjerimi, atëherë ai do të kushtëzohet e prolongohet, pa garanci për anëtarësim të plotë. Vështirë që në maj Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do t’i çajë bllokadat e disa shteteve anëtare që janë kundër zgjerimit të BE-së. Sindroma e pritjes së gjatë të Turqisë para portave të Brukselit, duket skenar real edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në gjashtëmujorin e dytë Gjermania do ta kryesojë BE-në, duke shtyrë përpara idenë e saj për Ballkanin si tampon zonë strehuese për refugjatët joevropianë që synojnë Evropën. Nga 1 marsi, me Ligjin e ri të punës, Berlini do t’i hapë kufijtë për punëtorët ballkanikë, por do t’i mbyllë për emigrantët aziatikë e afrikanë. Kështu, Ballkani do të zbrazet nga ballkanasit, e do të mbushet nga joballkanasit. Turqia, që ishte kampi pranues për 4 milionë refugjatë, (me 6 miliardë eurot e BE-së), nuk do të  pranojë më refugjatë të rinj. Madje në fund të vitit që e lamë, presidenti  turk, Rexhep Taip Erdogan, paralajmëroi se nuk do të pranojë më emigrantë të ri, pas valës së re prej 120 mijë emigrantëve sirianë që iknin nga ofensiva e fundit e Asadit. Duke pasur parasysh që pas stacinomit ushtarak në Siri, (vendnisja e emigrantëve aziatikë), Rusia u ankorua edhe në Libi, (porta afrikane e emigrantëve për në Evropë), ajo do t’i kontrolloj këto dy porta emigrantësh me destinim Evropën. Se çfarë bombe demografike destabilizuese për Evropën ishin emigrantët në vitin 2016, tashmë u pa dhe kjo pritet të përsëritet në BE edhe në vitin që vjen.  Prandaj, me mbylljen e kufirit turk për emigrantët e rinj dhe hapjen e kufirit libian, Brukseli me ndihmën e FRONTEX-it do të kërkojë në Ballkan hapësirë të re strehuese për refugjatët aziatikë dhe afrikanë. Problemi i refugjatëve do ta dominojë agjendën e BE-së edhe në vitin që vjen, aq më shumë që vetëm gjatë shtatë vjetëve të fundit, sipas UNHCR-së, numri i refugjatëve në botë ishte rritur për 70 për qind. Presioni i refugjatëve mund të jetë bombë e kurdisur për stabilitetin evropian, ku Ballkani mbetet porta hyrëse e tyre për BE.

Shqipëria kryesuese e OSBE-së, Maqedonia e Veriut anëtare e NATO-s

Në Ballkan viti 2020 do të jetë vit elektoral. Shqipëria do ta kryesojë OSBE-në, por me jostabilitet të brendshëm politik që mund të shpie në zgjedhje të parakohshme. Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s, por me zgjedhje të parakohshme, sikur edhe Serbia.

Zgjedhjet në Ballkan rëndom prodhojnë kriza qeveritare. Kjo u pa në Shqipëri e në Kosovë dhe mund të përsëritet edhe në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Vështirë se zgjedhjet e 12 prillit në Maqedoni (nëse nuk shtyhen) do të nxjerrin një qeveri stabile, sepse asnjë parti nuk do ta fitojë shumicën. Thjesht, sepse nuk mbet kush të votojë, e ata që mbetën, janë lodhur nga votimi. As koalicionet ndëretnike nuk do të krijojnë qeveri të sigurt, sepse votat do të shpërndahen barabartë si te partitë maqedonase, po ashtu edhe tek ato shqiptare. Pra, sërish një vit elektoral ballkanik, me kriza qeveritare dhe me ngadalësim të agjendës evropiane të reformave.

Nëse fillimi i 2020-shit do ta gjejë Kosovën me qeveri të re, dialogu Kosovë – Serbi ndoshta edhe do të mund të rinisë në fillim të vitit, por vështirë do të përfundojë në fund të tij. Ky dialog do të jetë i një formati të ri e me parime të reja, por vështirë që normalizimi midis dy shteteve do të finalizohet për 12 muaj. Trumpi do të preferonte një “Kemp Dejvid Ballkanik”, para fillimit të fushatës presidenciale, por tetë vjet të “Dialogut të Brukselit”, vështirë do të mund të finalizohen me tetë muaj të “Dialogut të Uashingtonit”. Nëse as më 2020 nuk do të normalizohen marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë – Serbi, Rusia do të mund të aktivizojë xhokerin e pëshpëritur jozyrtarisht, për tregtinë diplomatike me ShBA: të këmbimit të ulëses së Kosovës në OKB, për njohjen e Krimesë, si pjesë të Rusisë.

“Unioni Ballkanik”, zëvendësim i Unionit Evropian me Unionin Euro-Aziatik

E vetëdijshme që Ballkani nuk është buzë kufijve të saj, Rusia nuk do ta përdorë strategjinë aneksuese (si në Gjeorgji e Ukrainë), por do të vazhdojë ta mbajë rajonin nën influencën e vet. Në vend të pushtimit ushtarak, Moska do ta vazhdojë mbajtjen e konflikteve të ngrira në Ballkan, si pretekst për involvimin e vet diplomatik, që pastaj ta prolongojë integrimin e plotë euroatlantik të rajonit. Në vend të hard power (ushtrisë), Rusia do të fuqizohet në Ballkan me smart power, (vëllazërinë sllave dhe vijën ortodokse) dhe sharp power (luftën hibride, lajmet e rreme dhe sulmet kibernetike). Fundja, Ballkani as që ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, që tash Rusia duhet ta rikthejë, por mbeti korridori transitor për gazsjellësin e saj “Turkish Stream”, që do ta fillojë qarkullimin vitin që vjen.

Për Rusinë, Serbia do të mbetet sateliti kyç rajonal, shkaku i bazës së saj në Nish, si korridor energjetik dhe si bërthamë penguese e për Ballkanin euroatlantik. Si i vetmi shtet nga rajoni, në Unionin Euro-Aziatik, Serbia do të vazhdojë të mbetet promotore ballkanik e dy strategjive ruse: politikës “neutrale” (karshi NATO-s) dhe “Minishengenit ballkanik” (si zëvendësim për BE-në).  Në shkurt, me samitin përmbyllës në Beograd, Serbia do ta bëjë përpjekjen e fundit që me këtë “Union Ballkanik” t’i mbyllë derën Unionit Evropian dhe ta  hapë atë për Unionin Euro-Aziatik. Mirëpo, një rrëshqitje aq e thellë e Ballkanit vështirë që do të lejohej nga ShBA-ja.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Zyberaj ka pranuar detyrën e kryeshefit të Agjencisë së…