
Trendafilova do t’ua dorëzojë gjyqtarëve kërkesën e Osmanit
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se presidentja e këtij institucioni, Ekaterina Trendafilova, do t’ua dorëzojë gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, kërkesën e nisur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani rreth ndryshimeve kushtetuese që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.
Osmani i ka nisur të premten letër Trendafilovas, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.
Në këtë letër, që ka siguruar “Radio Evropa e Lirë”, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.